Një i mitur është vrarë nga një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe, pasi dyshohet se sulmoi me thika efektivin që ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq, sulmuesi iu afrua xhandarit me dy thika, duke thirrur “Allahu Akbar”. Në atë moment, efektivi përdori armën e zjarrit dhe e qëlloi për vdekje.
Ngjarja ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës, në orët e para të së mërkurës.
Ministri Daçiq e cilësoi incidentin si sulm terrorist dhe deklaroi se i dyshuari kishte qenë më herët nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë. Sipas tij, informacionet paraprake tregojnë se i riu dyshohej si përkrahës i grupit terrorist Shteti Islamik.
“Dua të përsëris edhe një herë se në sulmin terrorist të kryer sonte, një pjesëtar i Xhandarmërisë, i cili siguronte Ambasadën e Izraelit, u plagos lehtë dhe më pas e neutralizoi sulmuesin. Edhe pse identiteti i tij ende nuk është përcaktuar, shërbimi ynë e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe dihet se ishte përkrahës i Shtetit Islamik. Në profilin e tij në Instagram mbante flamurin e zi dhe simbolin e Shtetit Islamik”, deklaroi Daçiq.
Pas incidentit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë, atë të kuqe. Masa parashikon shtimin e pranisë policore dhe të kontrolleve në pika të rëndësishme në të gjithë vendin.
Autoritetet serbe nuk kanë bërë ende publik identitetin e të dyshuarit dhe as detaje të tjera mbi hetimet.
Ambasada e Izraelit në Beograd ka qenë edhe më parë objekt sulmi. Në qershor të vitit 2024, një person plagosi rëndë me hark dhe shigjetë një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante ambasadën. Sulmuesi u vra gjatë ndërhyrjes së policisë.