Altmedia
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politike
    • Ekonomi
    • Rajoni
    • Bota
    • Sport
    • Showbiz
  • Verifikim
  • Analizë
  • Dosje
  • Përtej
  • Video
  • Podcast
  • Kontakt
Reading: Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e sigurt është Kosova?
AltmediaAltmedia
Font ResizerAa
  • Analizë
  • Dosje
  • Përtej
  • Verifikim
  • Video
Kërko
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politike
    • Ekonomi
    • Rajoni
    • Bota
    • Sport
    • Showbiz
  • Verifikim
  • Analizë
  • Dosje
  • Përtej
  • Video
  • Podcast
  • Kontakt
Follow US
BotaRajoni

Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e sigurt është Kosova?

SHARE

Kosova nuk është në luftë, por kërcënimet që po shqetësojnë Europën mund të prekin edhe atë.

Prania e trupave të NATO-s, tensionet e vazhdueshme me Serbinë dhe sulmet e mëparshme ndaj infrastrukturës kritike e bëjnë vendin të cenueshëm ndaj formave të ndryshme të destabilizimit.

Në Europë, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, janë shtuar rastet e sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta. Autoritetet kanë hetuar një sërë incidentesh, disa prej të cilave dyshohet se kanë lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës.

Në shënjestër kanë qenë rrjetet e transportit, institucionet shtetërore dhe kompanitë që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake. Përmes këtyre veprimeve, Moska dyshohet se synon të pengojë mbështetjen për Kievin dhe të krijojë pasiguri në vendet perëndimore, pa hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë me to.

Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), numri i sulmeve dhe planeve për sulme me pasoja fizike në Evropë, të identifikuara si të lidhura me Rusinë, u rrit nga tre në vitin 2022 në 34 në vitin 2024.

Lexo gjithashtu

Tragjedi/ Babai dyshohet se vrau dy fëmijët e mitur dhe më pas i dha fund jetës
Franca në protesta/ Buxheti po ‘zhytet’, borxh kap shifrën e 120 % të PBB
Marta Kos: Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028
Gjermania, vendi jomysliman me numrin më të madh të myslimanëve, përballet me sfidën e integrimit

Këto zhvillime kanë nxjerrë në pah vështirësitë e NATO-s për të parandaluar veprimet që mbeten nën pragun e një konflikti të hapur ushtarak.

Një analizë e Këshillit Atlantik, e publikuar në fillim të tetorit, vlerëson se Aleanca ka forcuar mbrojtjen ushtarake, por ende nuk ka arritur të krijojë mekanizma të efektshëm për të frenuar këto operacione.

“Përgjigjet e NATO-s dhe të vendeve anëtare kanë qenë kryesisht reaktive dhe mbrojtëse. Ato janë përqendruar në zbulimin dhe kundërshtimin e provokimeve të caktuara, por nuk kanë arritur të dëshmojnë aftësi efektive për t’i frenuar ato”, thuhet në analizë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi gjatë një vizite në Talin muajin e kaluar se reagimet e tepruara ndaj çdo incidenti mund t’i shërbejnë Moskës. Megjithatë, ai ritheksoi se Aleanca do të mbrojë territorin e të gjithë anëtarëve të saj.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të aleatëve, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo, pavarësisht nëse ndodhet pranë Parisit, Talinit, Washingtonit apo Otavës”, tha Rutte.

Nga një mesazh në Telegram te sabotimi
Operacionet e sabotimit nuk kërkojnë domosdoshmërisht agjentë të trajnuar. Ato mund të nisin me një mesazh në Telegram dhe një pagesë prej disa qindra eurosh.

Fotografimi i një objekti, mbledhja e informacioneve apo kryerja e një akti vandalizmi mund t’u besohet personave pa përvojë, të cilët pranojnë të veprojnë kundrejt pagesës.

Sipas ekspertëve, kjo është një nga metodat që përdorin shërbimet ruse të inteligjencës për të organizuar operacione në Europë.

Kinga Redlowska, studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), shpjegon se përmes kësaj taktike rekrutohen persona që kryejnë detyra të caktuara, ndërsa organizatorët mbeten larg veprimeve në terren.

“Rusia përdor një taktikë shumë të lirë, por efektive, duke angazhuar ata që i quajmë agjentë të njëpërdorshëm. Operativët rusë rekrutojnë banorë të vendeve të Bashkimit Evropian ose të Britanisë, shpesh nga grupe të cenueshme, si studentë apo të papunë që kërkojnë të fitojnë para”, thotë Redlowska për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Detyrat mund të variojnë nga fotografimi i objekteve deri te vandalizmi dhe zjarrvënia. Edhe pagesat ndryshojnë sipas rrezikut dhe rëndësisë së misionit.

“Ekziston pothuajse një listë çmimesh për detyrat. Ndonjëherë shumat janë vetëm 100 ose 200 euro. Për detyra më të mëdha mund të jenë 1 mijë euro, ndërsa për misione më të ndërlikuara mund të arrijnë në disa mijëra euro”, shpjegon ajo.

Sipas një studimi të RUSI-t, pagesat kryhen kryesisht përmes kriptovalutave, por janë dokumentuar edhe transferta bankare dhe pagesa me para në dorë. Kjo mënyrë organizimi e vështirëson identifikimin e lidhjeve mes personave që kryejnë sulmet dhe atyre që i organizojnë.

Për Alexander Palmerin, nga CSIS, synimi i Rusisë nuk kufizohet te dëmi i një incidenti të vetëm. Sipas tij, Moska përfiton edhe nga paqëndrueshmëria dhe përçarjet në vendet perëndimore.

“Çdo pengesë apo trazirë në një vend të orientuar drejt Perëndimit shihet si diçka pozitive për Rusinë, edhe nëse ajo nuk përfiton drejtpërdrejt”, thotë Palmer për Exposenë.

Kërcënimet nuk vijnë vetëm nga terreni. Ato mund të kryhen edhe në distancë, përmes sulmeve kibernetike.

Gjermania dhe Çekia kanë identifikuar sulme që ua kanë atribuuar hakerëve të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse. Në Gjermani, në shënjestër ishte Partia Socialdemokrate, ndërsa në Çeki institucionet shtetërore, përmes shfrytëzimit të një dobësie në programin Microsoft Outlook.

Çfarë rrezikon Kosova?
Kërcënimet hibride nuk janë një shqetësim i largët për Kosovën. Institucionet e sigurisë kanë identifikuar disa rreziqe që mund të shfrytëzohen për të destabilizuar vendin.

Në dokumentin strategjik SOCTA 2025, Policia e Kosovës përmend operacionet e fshehta, sulmet kibernetike, propagandën dhe përdorimin e grupeve joformale.

Si pika të cenueshme identifikohen situata e sigurisë në veri, pakënaqësitë sociale dhe krizat energjetike. Dokumenti paralajmëron gjithashtu për sulme të mundshme ndaj institucioneve, bankave dhe mediave, si dhe për përpjekje për të nxitur mosbesim ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Disa nga këto rreziqe janë shfaqur edhe në praktikë.

Në maj të vitit 2024, faqet e internetit të Presidencës, Kryeministrisë dhe disa institucioneve të tjera të Kosovës u bënë përkohësisht të paarritshme pas sulmeve kibernetike.

Incidentet ndodhën pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në mbështetje të Ukrainës. Disa grupe proruse morën përgjegjësinë për sulmet, ndërsa Qeveria e Kosovës fajësoi hakerët rusë.

Megjithatë, identifikimi i autorëve të sulmeve kibernetike nuk është gjithmonë i thjeshtë.

Kujtim Gashi, ish-drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, shpjegon se sulmuesit mund të përdorin serverë ndërmjetësues dhe pajisje të komprometuara për të fshehur origjinën e sulmit.

“Fakti që një sulm vjen nga një IP-adresë apo një infrastrukturë e vendosur në një shtet të caktuar, nuk dëshmon 100 për qind se origjina e atij sulmi vjen po nga ajo adresë apo ai shtet”, thotë Gashi për Exposenë.

Një tjetër rast që tregoi cenueshmërinë e infrastrukturës kritike ishte shpërthimi i nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit. Dëmtimi i tij rrezikoi furnizimin me ujë të disa qyteteve dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Autoritetet kosovare e cilësuan ngjarjen si sulm terrorist dhe akuzuan Serbinë për përfshirje, ndërsa Beogradi e mohoi përgjegjësinë. Për rastin janë ngritur akuza ndaj tre personave.

Megjithatë, nuk janë paraqitur prova publike që ta lidhin sulmin me shërbimet ruse të inteligjencës apo me operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë.

Ngjarja nxori në pah pasojat që mund të ketë goditja e një infrastrukture nga e cila varen shërbime jetike.

Mbetet e paqartë nëse institucionet kosovare kanë identifikuar përpjekje konkrete për rekrutim, sabotim apo mbledhje informacionesh rreth objekteve të tilla.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës, si dhe nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe misioni i NATO-s, KFOR, por asnjëri prej institucioneve nuk u përgjigj deri në publikimin e artikullit.

Ekspertët vlerësojnë se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i cenueshëm për shkak të historisë së konflikteve dhe ndarjeve të brendshme politike.

Alexander Palmer thotë se Rusia mund t’i shfrytëzojë këto dobësi për të nxitur paqëndrueshmëri, por nuk e sheh praninë e NATO-s si faktorin kryesor që e bën Kosovën objektiv.

“Nuk është e qartë për mua nëse prania e bazës së NATO-s është një nga faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të cenueshme. Mendoj se ky rajon perceptohet si një pjesë më e paqëndrueshme e botës dhe Rusia ka qasje më të lehtë në vende të tilla, për shkak të historisë relativisht të re të institucioneve dhe ndarjeve të brendshme politike”, thotë ai.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në dhjetor 2025, vlerëson se Rusia e shtrin ndikimin në Kosovë kryesisht përmes lidhjeve me popullsinë serbe dhe shfrytëzimit të tensioneve ndëretnike.

Dezinformimi, ndërhyrjet politike, sulmet kibernetike dhe presioni ekonomik renditen ndër metodat që mund të përdoren për të nxitur përçarje dhe për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit.

Sa e përgatitur është Kosova?
Një nga pyetjet kryesore është se sa shpejt mund të rikthehen shërbimet jetike në rast të një sulmi ndaj institucioneve apo infrastrukturës së vendit.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në gusht të vitit 2026, evidenton mangësi në koordinimin institucional, komunikimin gjatë krizave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Në skenarin më negativ për vitin 2030, raporti përshkruan një Kosovë të përballur me sabotime të përsëritura, ndërprerje të shërbimeve nga sulmet kibernetike dhe përhapje të dezinformimit. Ky është një skenar i mundshëm, jo një parashikim i sigurt.

Një nga pikat më të ndjeshme është infrastruktura digjitale shtetërore.

Qendra Shtetërore e të Dhënave, e administruar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, strehon platformën eKosova dhe regjistrat shtetërorë. Një ndërprerje e rëndë e funksionimit të saj mund të ndikojë në shumë shërbime që përdorin qytetarët dhe institucionet.

Ministria e Digjitalizimit i tha Radios Evropa e Lirë se qendra ka mekanizma për sigurinë fizike dhe kibernetike, por nuk sqaroi se sa kohë do të nevojitej për rikthimin e shërbimeve pas një ndërprerjeje dhe kur ishte testuar për herë të fundit një plan i tillë.

Sipas Kujtim Gashit, Kosova ka kapacitete për mbrojtjen e sistemeve, por i mungon një qendër rezervë për rikuperimin e të dhënave.

“Kosova nuk e posedon sipas standardeve një qendër shtetërore të rimëkëmbjes së të dhënave në rast të fatkeqësive, apo një ‘disaster recovery center’, e cila mund të shërbejë si infrastrukturë për vazhdimësinë e shërbimeve”, thotë ai.

Ministria e Digjitalizimit konfirmoi se një qendër e tillë është ende në fazën e projektimit, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Banka Botërore.

Mangësi evidentohen edhe në kuadrin ligjor dhe institucional për sigurinë kibernetike.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i vitit 2025, konstatonte se vendi kishte miratuar tetë nga 14 aktet nënligjore për sigurinë kibernetike. Komisioni kërkoi gjithashtu funksionalizimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe të Këshillit Kombëtar për Siguri Kibernetike.

Një zhvillim pozitiv u shënua në gusht, kur ekipi qeveritar GovCERT u akreditua në rrjetin ndërkombëtar Trusted Introducer. Ky mekanizëm mundëson shkëmbimin e informacioneve për kërcënimet dhe incidentet kibernetike mes ekipeve të specializuara në Evropë.

Përballë këtyre rreziqeve, ekspertët theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të ndjekjes së burimeve të financimit të operacioneve të sabotimit.

Sipas Kinga Redlowskës, pagesat mund të ndihmojnë në zbulimin e lidhjeve mes personave që në pamje të parë nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin.

“Autoritetet duhet të ndjekin gjurmët e parave që në fillim. Pagesat mund të lidhin individë që, në pamje të parë, nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Ajo thekson se, meqë kriptovalutat dhe rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, edhe hetimet duhet të zhvillohen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me përfshirjen e sektorit privat, veçanërisht institucioneve financiare.

Kosova ka identifikuar disa prej kërcënimeve dhe ka ndërmarrë hapa për të forcuar sigurinë, por mangësitë në infrastrukturën rezervë, koordinimin institucional dhe reagimin ndaj krizave mbeten shqetësuese.

Në një kohë kur sabotimet mund të organizohen nga distanca, me kosto të ulët dhe pa paralajmërim, përgatitja dhe bashkëpunimi mes institucioneve bëhen thelbësore për të parandaluar pasoja më të rënda./ REL

TAGGED:kosovaluftarusia
Share This Article
Email Kopjo linkun Print
Leave a Comment Leave a Comment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

FacebookLike
InstagramFollow
YoutubeSubscribe
TiktokFollow
Minutë pas minute

Spektakël në Champions League, Como shkatërron Lensin 9-1! Fitore edhe për Realin, Liverpooli rrëzohet nga Muriqi

Çfarë ndodhi me kamerat/ Tentuan të fshihnin krimin me historinë e ariut, zbardhen detaje të reja nga vrasja në Bulqizë

Nga stoli në histori, Muriqi: Kemi treguar se sa e madhe është Fenerbahçe

Shkoi me pushime, 23-vjeçarja përfundon me infeksion të rëndë në tru

Ndahet nga jeta Tinto Brass, ikona e kinemasë erotike italiane

Nga e njejta kategori
Bota

Banka franceze e gjakut është goditur nga një sulm kibernetik, sistemet e frigoriferëve programohen në 110°C

Aktualitet Bota

Tragjedi në Itali/ Humb jetën 61-vjeçari shqiptar, u zu poshtë nga një portë gjatë punimeve

Bota Përtej

Paralajmërimi i hershëm i zv.presidentit Vance: Disa zyrtarë izraelitë po përpiqen të zgjasin luftën me Iranin

  • Shiko edhe:
  • protesta
  • studente
  • Policia
  • tirane
  • edi rama
  • proteste
  • shba
  • parashikimi
  • donald trump
  • sali berisha
  • zgjedhje
  • horoskopi
  • kryeministria
  • rusia
  • moti
Altmedia
ALT Media sjell atë që lajmi nuk ta tregon gjithmonë. Një këndvështrim alternativ mbi ngjarjet, njerëzit dhe temat që formësojnë realitetin.
ALT Media — Një tjetër këndvështrim.
Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Privacy Policy
  • Linja Editoriale

© Alt Media.