Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur komunitetin në Mount Lebanon, në Pensilvani të SHBA-së, ku një 42-vjeçar dyshohet se ka vrarë dy fëmijët e tij të mitur dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Viktimat janë identifikuar si Patrick Lynch, 42 vjeç, djali i tij James, 8 vjeç, dhe vajza Caroline, vetëm 6 vjeçe. Trupat e pajetë të të treve u gjetën pranë një garazhi parkimi në zonën e Mount Lebanon, pranë qytetit të Pittsburgh.
Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, dyshohet se bëhet fjalë për një rast vrasjeje-vetëvrasjeje. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, të cilat tentuan t’u jepnin ndihmën e parë, por pa mundur t’u shpëtonin jetën.
Rrethanat dhe motivet që mund të kenë çuar në këtë ngjarje tragjike mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi.
Shefi i policisë së Mount Lebanon, Jason Haberman, e cilësoi ngjarjen si një goditje të rëndë për komunitetin, duke theksuar se shumë prej banorëve kanë njohje ose lidhje me familjen dhe personat e përfshirë në këtë tragjedi.