Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka prezantuar në Parlamentin Evropian raportin vjetor të progresit për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE.
Gjatë prezantimit, Kos theksoi se procesi i zgjerimit mbetet thelbësor për sigurinë, paqen dhe prosperitetin në Evropë. Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për një përballje më efikase me krimin e organizuar, krimin kibernetik dhe sfidat që lidhen me emigracionin.
Duke folur për ecurinë e procesit të anëtarësimit, komisionerja vlerësoi përparimin e Malit të Zi, të cilin e cilësoi si vendin më të avancuar në negociata. Sipas saj, Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
“Fokusohemi në sigurinë evropiane përmes zgjerimit, për të ofruar paqe, liri dhe prosperitet në Evropë. Krimi i organizuar dhe ai kibernetik na ndikojnë të gjithëve.
Vendet që integrohen në strukturat e BE-së përballen me sfida që lidhen me krimin e organizuar dhe emigracionin. Sot, paketa e zgjerimit vjen pas prezantimit të saj nga Komisioni muajin e kaluar. Zgjerimi është i mundur, por ka fusha ku duhet të adresohen sfidat”, u shpreh Kos.
Më tej, komisionerja u ndal te procesi i negociatave me Malin e Zi, duke përmendur edhe punën për traktatin e anëtarësimit.
“Për shanset për t’u integruar, Mali i Zi është vendi më i përparuar, pas bisedimeve me Kroacinë. Puna që po vijon për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi, së bashku me miratimin e konkluzioneve të Këshillit për paketën financiare të anëtarësimit të vendit në BE, konfirmon se Mali i Zi është pranë fazës përfundimtare të procesit të anëtarësimit. Përpjekjet e vazhdueshme për reforma dhe konsensusi i gjerë politik mbeten thelbësore për të ardhmen evropiane të vendit”, deklaroi ajo.
Kos iu referua gjithashtu mbylljes së kapitujve të negociatave, duke theksuar se Mali i Zi ka bërë hapa përpara në procesin e integrimit.
“BE-ja mund ta sjellë zgjerimin në një përfundim të suksesshëm. 28 kapituj janë mbyllur, ju mund të mbyllni edhe të tjerët deri në fund të vitit. Mali i Zi ka demonstruar se integrimi do të sjellë transformim dhe përmbushjen e vlerave evropiane. Mali i Zi mund të jetë vendi i 28-të në vitin 2028, vendi i radhës në BE”, përfundoi komisionerja për Zgjerimin.