Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit europian, duke hapur grupkapitullin e fundit të negociatave, përmbushur standardet ndërmjetëse në grupkapitullin e parë dhe mbyllur përkohësisht katër kapituj. Megjithatë, Komisioni Europian evidenton ende problematika në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve.
Në progres-raportin për vitin 2026, Brukseli vlerëson angazhimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe objektivin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, kërkon përshpejtimin e reformave dhe rezultate konkrete në zbatimin e tyre.
Një nga çështjet kryesore të evidentuara është reforma zgjedhore. Komisioni Europian kërkon përfundimin e saj përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke theksuar se disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias ende nuk janë adresuar. Shqetësim mbetet edhe mungesa e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe kontrolli i kufizuar parlamentar ndaj ekzekutivit.
Sa i përket reformës në drejtësi, raporti vlerëson përparimin e Shqipërisë dhe përfundimin e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Megjithatë, evidentohen mungesa e burimeve njerëzore, vonesat në shqyrtimin e çështjeve dhe ndërhyrjet e papërshtatshme politike.
Vlerësim pozitiv merr edhe puna e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Sipas Komisionit Europian, institucioni ka dëshmuar pavarësi dhe ka arritur rezultate konkrete. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë, ndaj kërkohen më shumë hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në çështjet e profilit të lartë.
Lufta kundër korrupsionit
Në raport, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ndodhet në një nivel të moderuar deri në të mirë përgatitjeje dhe ka shënuar përparim të përgjithshëm në këtë fushë.
“Shqipëria është midis një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje dhe ka treguar përparim të mirë në përgjithësi. Strategjia Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe plani i saj i veprimit 2024-2026 janë duke u zbatuar. Struktura e Specializuar Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vazhduar të demonstrojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke bërë përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë e vërtetë.
Legjislacioni për të parandaluar korrupsionin u përafrua më tej me standardet evropiane. U arrit përafrim i mëtejshëm në mbrojtjen e sinjalizuesve. Janë filluar vlerësimet e rrezikut të korrupsionit bazuar në sektorë dhe janë publikuar deklaratat e pasurisë së nivelit të lartë. Ndikimi aktual i këtyre dhe masave të tjera parandaluese në korrupsion mbetet për t’u demonstruar, duke marrë parasysh hetimet e vazhdueshme të korrupsionit të nivelit të lartë. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe disa mbeten të vlefshme”, thuhet në raport.
Për vitin e ardhshëm, Komisioni Europian i kërkon Shqipërisë të përqendrohet në disa drejtime kryesore:
- Forcimi i rezultateve në luftën kundër korrupsionit: të konsolidohet bilanci i hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimeve, si dhe të sigurohen më shumë vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e profilit të lartë. Kjo përfshin edhe sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive kriminale që burojnë nga veprat penale të korrupsionit, si dhe shtimin e referimeve proaktive nga institucionet shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese në SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
- Forcimi i masave parandaluese: të zbatohen dhe monitorohen masat e reja ligjore, të rriten kapacitetet institucionale dhe të zgjerohet vlerësimi i rrezikut të korrupsionit në sektorët vulnerabël. Raporti kërkon gjithashtu plane integriteti në nivel qendror dhe vendor, si dhe përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë nga institucionet përkatëse, përfshirë ILDKPKI-në.
- Rritja e llogaridhënies në polici: të forcohen masat për përmirësimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke garantuar pavarësinë dhe stabilitetin e drejtimit të kësaj të fundit.
Lufta kundër krimit të organizuar
Për luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria vlerësohet për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përdorimin më të gjerë të hetimeve financiare dhe rezultatet në sekuestrimin e pasurive kriminale.
Megjithatë, Komisioni Europian kërkon më shumë dënime përfundimtare për trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe forcimin e kapaciteteve të prokurorive në nivel vendor.