Detaje të reja po dalin nga hetimet për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku, ngjarje e rëndë e regjistruar mëngjesin e sotëm në Bulqizë. Një nga pistat që po hetohet lidhet me zhdukjen e pamjeve të kamerave të sigurisë të instaluara në banesën ku ndodhi krimi.
Policia ka sekuestruar pajisjen DVR, e cila ishte e lidhur me tre kamera sigurie në ambientet e shtëpisë. Gjatë kontrollit fillestar, specialistët nuk kanë gjetur asnjë regjistrim filmik në pajisje.
Dyshimet paraprake janë se 33-vjeçari Gazmir Fiku, djali i viktimës dhe një prej të dyshuarve për ngjarjen, mund t’i ketë fshirë pamjet përmes një aplikacioni në telefonin e tij celular. Për këtë arsye, pajisja është dërguar për ekspertim kompjuterik, me qëllim rikuperimin e regjistrimeve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të krimit.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i mundshëm i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt i lidhur me xhelozinë familjare dhe një marrëdhënie sentimentale të 61-vjeçarit.
Në pranga kanë përfunduar djali i viktimës, 33-vjeçari Gazmir Fiku, si dhe bashkëshortja e tij, 57-vjeçarja Sadete Fiku.
Një tjetër element që ka ngritur dyshime te grupi hetimor është deklarimi fillestar i të arrestuarve, të cilët pretendohet se kanë raportuar se 61-vjeçari kishte humbur jetën pas një sulmi dhe kafshimi nga një ari.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar dinamikën e ngjarjes, rolin e secilit prej të arrestuarve dhe motivet që çuan në këtë krim të rëndë.