Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka deklaruar se protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, ndërsa dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo theksoi se çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Sipas saj, pakënaqësitë e qytetarëve duhet të trajtohen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa institucionet demokratike kanë përgjegjësinë të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.
Duke iu referuar protestave që nisën në maj, ambasadorja tha se ato u nxitën fillimisht nga shqetësimet mjedisore, por më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë, me kërkesa për transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.
“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore të majit, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë dhe llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin”, deklaroi de Sousa.
Ajo përsëriti se zgjidhja e pakënaqësive kërkon dialog dhe se institucionet duhet të garantojnë kushtet për zhvillimin e tij.