Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit të Grupit C1 në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë më 15 nëntor, në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë. Takimi do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, në zbatim të sanksioneve të vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë.
Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të marrë më 3 mars 2022, klubet dhe ekipet kombëtare bjelloruse janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në terrene neutrale dhe pa praninë e tifozëve.
Për këtë arsye, edhe përballja Bjellorusi–Shqipëri në Budapest nuk do të jetë e hapur për publikun. Kështu, tifozët shqiptarë nuk do të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, pavarësisht se ajo zhvillohet jashtë territorit të Bjellorusisë.
Kuqezinjtë do ta mbyllin kështu fazën e grupeve me këtë transfertë, në një përballje që do të përcaktojë përfundimin e aventurës së tyre në Grupin C1 të Ligës së Kombeve.