Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim çështjen ndaj Elvis Shkëmbit dhe xhaxhait të tij, të akuzuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit. Në gjyq është dërguar edhe punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Elvis Shkëmbi akuzohet për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërkohë, xhaxhai i tij, Gjergj Shkëmbi, akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, për “Shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, gjatë një seance për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore, Elvis Shkëmbi nxori një pistoletë nga brezi dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij.
Më pas, ai drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët tentuan të largoheshin nga salla. Njëri prej tyre u plagos në dorën e djathtë, ndërsa tjetri pësoi dëmtime në trup.
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën, ndërsa dy personat e tjerë mbetën të plagosur.
Pas të shtënave, Elvis Shkëmbi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u kap në flagrancë.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se Elvis Shkëmbi e kreu veprën në bashkëpunim me xhaxhain e tij, Gjon Shkëmbi. Një nga provat e përmendura në dosje është deklarimi i Elvis Shkëmbit se e kishte pasur armën edhe në seanca të tjera gjyqësore dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni të këtij fakti.
Në lidhje me punonjësin e sigurisë, Prokuroria konstaton se Elvis dhe Gjon Shkëmbi kanë hyrë në ambientet e gjykatës pa iu nënshtruar kontrollit fizik, ndonëse njëri prej tyre mbante armë zjarri.
Të shtënat ndodhën pas shpalljes së vendimit në një çështje pronësie, ku palë ishin familja Shkëmbi dhe familja Kurtaj. Prokuroria ka deklaruar se ka hetuar edhe rolin që mund të ketë pasur Gjon Shkëmbi në nxitjen e veprimeve ndaj palës kundërshtare.