Mamaja e Monika Kryemadhit kërkon në GJKKO pafajësi për akuzën e pastrimit të parave dhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për konfiskimin e vilës së saj në “Kodrën e Diellit”.
Në konkluzionet prej 81 faqesh, avokatet kundërshtojnë pretendimet e SPAK për origjinën e paligjshme të fondeve të përdorura për blerjen e apartamenteve, shlyerjen e kredive bankare dhe përfitimin e pasurive të paluajtshme.
Një nga kundërshtimet kryesore lidhet me shumën prej 846 mijë eurosh, të cilën Prokuroria e Posaçme e konsideron të pajustifikuar dhe e lidh me transaksionet financiare të familjes Meta-Kryemadhi.
Sipas mbrojtjes, SPAK nuk ka identifikuar në mënyrë konkrete veprimet financiare që përbëjnë këtë shumë, burimin e secilit transaksion dhe dijeninë e Fatime Kryemadhit për një origjinë të mundshme kriminale të fondeve.
Avokatet kundërshtojnë edhe lidhjen që Prokuroria bën mes pasurive dhe çështjes CEZ-DIA, duke iu referuar një mesazhi të datës 22 qershor 2009, ku përmendet shuma “200 mijë”.
Sipas mbrojtjes, në mesazh nuk përcaktohet monedha, ndërsa SPAK e interpreton shumën si 200 mijë euro. Avokatet argumentojnë se nuk ka prova që kjo shumë është paguar nga Kastriot Ismailaj, është përfituar nga Ilir Meta apo i është kaluar Fatime Kryemadhit.
Një tjetër argument lidhet me kohën e blerjes së apartamenteve në rrugën “Vaso Pasha”, në Tiranë. Mbrojtja thekson se blerjet janë kryer në mars të vitit 2010, përpara themelimit dhe regjistrimit të DIA-s dhe marrëveshjeve të saj me CEZ-in.
Në konkluzione trajtohen edhe 138 mijë eurot që Fatime Kryemadhi i ka kaluar vajzës së saj, Monika Kryemadhi, gjatë vitit 2009. Sipas SPAK, këto transferta janë kryer në tri derdhje, përkatësisht 21 mijë, 70 mijë dhe 47 mijë euro.
Nga kjo shumë, Prokuroria njeh si të justifikuara 100 mijë euro me burim kompaninë AGI KONS, ndërsa konteston 38 mijë eurot e tjera. Kësaj diference i shtohen edhe 75 mijë euro qira për një periudhë 25-mujore, duke e çuar mungesën e pretenduar të burimeve të ligjshme në rreth 113 mijë euro.
Mbrojtja kundërshton këtë përllogaritje, duke kërkuar që të verifikohen pagesat reale të qirasë, transfertat bankare dhe burimet financiare të deklaruara.
Një tjetër pikë lidhet me kredinë prej 335 mijë eurosh të marrë në mars 2010. Nga kjo kredi, sipas SPAK, janë transferuar 100 mijë euro për apartamentin e Monika Kryemadhit, ndërsa janë tërhequr 200 mijë dhe 34.500 euro.
Prokuroria pretendon se dy shumat e tërhequra janë marrë nga Mirvjen Nino si pagesa shtesë për apartamentin. Por mbrojtja kundërshton këtë version, duke argumentuar se 200 mijë eurot janë tërhequr nga vetë Fatime Kryemadhi dhe se mandatet bankare të përdorura nga akuza duhet të verifikohen.
Avokatet kanë kundërshtuar edhe ekspertimin financiar të SPAK, duke pretenduar se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha dokumentet bankare, kontratat noteriale dhe burimet e të ardhurave të paraqitura nga mbrojtja. Sipas tyre, analiza financiare për Fatime Kryemadhin duhet të përfshinte edhe periudhën përpara vitit 2003.
Një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes i kushtohet vilës në Kodrën e Diellit, për të cilën SPAK ka kërkuar konfiskimin përfundimtar.
Sipas konkluzioneve, vila është përfituar përmes një kontrate shkëmbimi me kompaninë AGI KONS, së cilës Fatime Kryemadhi i ka kaluar dy njësi dhe një garazh. SPAK kërkon konfiskimin e saj si pasuri me vlerë ekuivalente me produktin e pretenduar të veprës penale, duke e vlerësuar përafërsisht 186.945 euro.
Mbrojtja argumenton se nuk është provuar lidhja mes kësaj pasurie dhe fondeve që Prokuroria i konsideron me origjinë kriminale.
Avokatet i referohen edhe një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit të datës 17 dhjetor 2024, me të cilin është hequr sekuestroja preventive e vendosur më herët mbi vilën.