Një lajm i bukur për adhuruesit e muzikës latine në Kosovë dhe më gjerë. Këngëtari i famshëm kolumbian, Maluma, pritet të performojë në Prishtinë gjatë vitit 2027, duke e përfshirë kryeqytetin e Kosovës në turin e tij të ardhshëm botëror.
Artisti ka bërë publik itinerarin e turneut të titulluar “Loco X Volver World Tour 2027”, ku Prishtina renditet mes më shumë se 60 qyteteve të ndryshme të botës. Në listën e destinacioneve janë edhe metropole të njohura si Parisi, Madridi, Berlini, Milano dhe Los Angeles.
Përfshirja e Kosovës në këtë tur ka ngjallur interes dhe entuziazëm te fansat, të cilët presin me padurim një performancë të një prej emrave më të njohur të muzikës latine në skenën ndërkombëtare.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura detajet konkrete të organizimit. Mbetet për t’u konfirmuar nëse koncerti do të zhvillohet në kuadër të festivalit “Sunny Hill” apo do të jetë një aktivitet i veçantë.
Gjithashtu, data e saktë e koncertit, vendndodhja dhe informacionet për shitjen e biletave pritet të bëhen publike në një njoftim të ardhshëm zyrtar.