Ka përfunduar në tragjedi aksidenti rrugor i ndodhur një ditë më parë në aksin Gjirokastër-Kakavijë. 64-vjeçari, i cili mbeti i plagosur rëndë nga përplasja mes një automjeti dhe një motomjeti, ka ndërruar jetë në spital, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Aksidenti u regjistrua pranë fshatit Haskovë, në Dropull, ku një automjet i drejtuar nga 35-vjeçari me inicialet E.R., banues në Nepravishtë të Libohovës, u përplas me motoçikletën që drejtohej nga 64-vjeçari T.A., banues në Dervician.
Përplasja ishte e fortë, duke bërë që drejtuesi i motomjetit të pësonte dëmtime të rënda. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ndërroi jetë.
Ndërkohë, policia ka arrestuar drejtuesin 35-vjeçar të automjetit, i cili dyshohet se është përgjegjës për aksidentin.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes tragjike, që i mori jetën 64-vjeçarit.