Irani nuk ka ndërmend të rifillojë negociatat me Shtetet e Bashkuara pa marrë më parë një përgjigje të qartë për shtatë kushtet e paraqitura nga Teherani. Qëndrimi është bërë publik nga Mohsen Rezaei, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, gjatë një interviste për televizionin “Al Mayadeen”.
Rezaei deklaroi se autoritetet iraniane i kanë kërkuar Uashingtonit të shprehet drejtpërdrejt për kërkesat e tyre, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare.
Sipas tij, përmbushja e këtyre kushteve është thelbësore jo vetëm për rifillimin e bisedimeve mes dy vendeve, por edhe për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme strategjike për tregtinë globale të energjisë.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit po vijojnë përmes ndërmjetësimit të Katarit. Kryeministri i këtij vendi u takua të hënën me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus ishte gjetja e një zgjidhjeje për krizën.
Pas takimit, Trump u shpreh optimist për mundësinë e përfundimit të konfliktit, duke deklaruar se një rikthim te sulmet e mëdha ushtarake kundër Iranit duket pak i mundshëm në këtë fazë. Megjithatë, presidenti amerikan nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e një ndërhyrjeje të re.
Sipas raportimit të “Reuters”, Teherani vazhdon të këmbëngulë se çdo marrëveshje me Uashingtonin duhet të kalojë përmes plotësimit të kërkesave të tij. Në këtë situatë, Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes dy vendeve.