Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka prezantuar ato që i cilëson si zgjidhjet e vetme për të rikthyer sovranitetin te qytetarët dhe për të ndryshuar sistemin politik në Shqipëri.
Në mesazhin e tij, Meta rendit tre propozime kryesore: rikthimin e Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, hapjen 100% të listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, si dhe rikthimin e balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive.
Sipas tij, rikthimi i Kushtetutës së mëparshme do të rivendoste ndarjen e pushteteve dhe mekanizmat e kontrollit e balancës mes tyre, ndërsa hapja e plotë e listave do t’u jepte qytetarëve mundësinë të zgjidhnin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, pa qenë të varur nga vendimet e kryetarëve të partive.
Kreu i Partisë së Lirisë kërkon gjithashtu rikthimin e balotazhit në zgjedhjet vendore, me argumentin se kryetari i bashkisë duhet të zgjidhet me mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Meta thekson se këto ndryshime do të krijonin mundësi edhe për kandidatë të pavarur, me integritet dhe kontribute publike, që të garojnë dhe të fitojnë mandate pa qenë pjesë e strukturave partiake.
“Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!”, shkruan Meta, duke shtuar se shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet.
Në reagimin e tij, ai e lidh zbatimin e këtyre propozimeve edhe me luftën kundër asaj që e cilëson si kapje të shtetit, si dhe me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar”, përfundon Meta mesazhin e tij.
REAGIMI I PLOTË
VETËM KËTO JANË ZGJIDHJET!
Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e “Rilindjes”.
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.