Gyqtarja shqiptare Emanuela Rusta do të jetë protagonistja e një prej sfidave më të rëndësishme të javës së katërt në fazën e ligës së Champions League për femra.
UEFA i ka besuar 32-vjeçares drejtimin e takimit mes Juventusit dhe Lyonit, që do të luhet më 11 nëntor, në orën 21:00, në Biella të Italisë.
Rusta nuk do të jetë e vetmja shqiptare në këtë ndeshje. Në ekipin e arbitrimit do të jenë edhe Jena Mala, e cila do të kryejë detyrën e asistentes, si dhe Kreshnik Barjamaj në sistemin VAR. Asistentja tjetër do të jetë Nicoleta Ramona Bria.
Përballja pritet të jetë mjaft e rëndësishme, pasi përballë njëra-tjetrës do të jenë Juventusi dhe Lyon, dy emra të njohur të futbollit europian të femrave. Skuadra franceze është një prej më të suksesshmeve në histori, me plot tetë trofe të Champions League.
Ky emërim përbën një tjetër arritje për Emanuela Rustën dhe një vlerësim të rëndësishëm për arbitrimin shqiptar, i cili do të përfaqësohet me disa emra në një skenë të madhe të futbollit europian.