Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në prag të dy ndeshjeve të fundit në grupin e Ligës së Kombeve, kundër Finlandës dhe Bjellorusisë.
Mesfushori Julian Shehu theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në “Air Albania”, ndërsa portieri Etrit Berisha u shpreh se synon të ndihmojë ekipin duke mbajtur portën të paprekur.
Shehu: Mbështetja e tifozëve do të jetë një shtysë e madhe
I pyetur për ndryshimet në mesfushë nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, Shehu tha se skuadra po luan më në mënyrë sulmuese dhe agresive.
“Mënyra se si po luan ekipi tani, më ofensiv dhe më agresiv, ka dhënë frytet e veta. Ne ndihemi mirë në fushë dhe rezultatet janë ato që trajneri kërkon. Është çdo gjë në rregull deri më tani”, u shpreh ai.
Sa i përket objektivit për të ruajtur vendin e parë në grup, mesfushori theksoi se skuadra duhet të japë maksimumin në të dyja ndeshjet.
“Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Duhet të japim maksimumin. Presioni është pjesë e lojës, por ne jemi profesionistë dhe duhet ta përballojmë. Ta bëjmë lojën për rezultat maksimal. Është objektiv të qëndrojmë në vendin e parë dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”, tha Shehu.
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e faktit që ndeshja kundër Finlandës do të luhet në shtëpi.
“I vetmi ndryshim është që luajmë në shtëpi dhe mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne. Kjo do të jetë një shtysë e madhe që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje”, deklaroi mesfushori.
Shehu u ndal edhe te roli i tij në skuadër, duke theksuar se vendimet për formacionin i takojnë trajnerit dhe se ai do të shfrytëzojë çdo mundësi që i jepet.
Berisha: Gabimi ndaj Finlandës i përket së kaluarës
Portieri Etrit Berisha u pyet nëse ndeshja e radhës ndaj Finlandës përbën një mundësi për të kompensuar gabimin e bërë në përballjen e mëparshme, kur u ndëshkua me karton të kuq.
“Nuk do ta marr si revansh. Çdo ndeshje ka historinë e vet. Ne duhet të fokusohemi te objektivi që kemi. Ftojmë tifozët të na përkrahin. Ka rëndësi të jenë afër dhe të fitojmë këtë ndeshje që të marrim vendin e parë”, u shpreh ai.
Berisha pranoi se kartoni i kuq kishte ndikuar në rrjedhën e ndeshjes së mëparshme, por theksoi se skuadra e ka kaluar atë moment.
“Janë gjëra që kanë ndodhur dhe s’mund të kthehen mbrapa. Ishte një moment që ndryshoi rrjedhën e lojës. Ishte ndoshta edhe një fatkeqësi që solli shumë vështirësi. Unë mendoj se gjithsesi e kishim ndeshjen në kontroll edhe pas atij gabimi. E kemi kaluar atë moment dhe tani çdo gjë e kemi në dorën tonë”, tha portieri.
Ai u shpreh se dëshiron të vazhdojë me Kombëtaren formën e mirë që ka treguar në klub, duke shpresuar të ndihmojë ekipin në ndeshjet e ardhshme.
Berisha vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve, duke përmendur atmosferën e krijuar në ndeshjen kundër San Marinos.
Shqipëria synon vendin e parë në grup
Shehu dhe Berisha përsëritën rëndësinë e dy ndeshjeve të fundit për objektivin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Skuadra synon të sigurojë rezultate pozitive dhe të ruajë mundësinë për të përfunduar në krye të grupit.