Raundi i parë i negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është mbyllur pa një marrëveshje për armëpushim apo përfundimin e luftës. Megjithatë, takimi i zhvilluar të martën në Abu Dabi ka prodhuar disa rezultate konkrete, veçanërisht në aspektin humanitar.
Palët kanë rënë dakord për një shkëmbim të gjerë të ushtarëve të kapur robër, ndërsa bisedimet kanë krijuar një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për trajtimin e çështjeve urgjente humanitare.
Ky takim shënon një moment të rëndësishëm diplomatik, pasi është kontakti i parë ballë për ballë mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që nga shkurti. Negociatat zhvillohen në një kohë kur administrata amerikane po intensifikon përpjekjet për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të konfliktit, i cili vijon të jetë lufta më e përgjakshme tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili zhvilloi një takim me homologun ukrainas në Paris, në kuadër të takimit të G7-ës, i vlerësoi negociatat si “shumë frytdhënëse”.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së vendeve europiane në procesin diplomatik, duke argumentuar se ato duhet të jenë pjesë e zgjidhjes afatgjatë të konfliktit.
“Ne mendojmë se formati trepalësh duhet t’i përfshijë përfundimisht edhe partnerët tanë evropianë në tryezën e bisedimeve, sepse edhe ata janë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi në planin afatgjatë”, deklaroi Rubio.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, bëri të ditur se diskutimet do të vijojnë edhe gjatë së mërkurës. Në fokus pritet të jetë edhe roli që mund të luajnë institucionet ekzistuese europiane në garantimin e sigurisë.
Megjithatë, nga pala ruse nuk ka ende sinjale për një zbutje të qëndrimit lidhur me kërkesat e saj kryesore, të cilat kanë qenë pjesë e negociatave edhe përpara nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, nga ana e tij, theksoi se prioriteti i Kievit mbetet sigurimi i garancive të forta të sigurisë dhe arritja e një paqeje të qëndrueshme.
Bisedimet pritet të vijojnë, ndërsa marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve shihet si një hap pozitiv, por ende larg një zgjidhjeje përfundimtare të luftës.