Një 39-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mesditën e kësaj të marte në Spanjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Playa Flamenca, në Orihuela Costa, në jug të provincës së Alicante-s.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, shqiptari ndodhej në tarracën e një bari, pranë kompleksit sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në rrugën San Nicolás de Bussi, kur është sulmuar nga një person i armatosur.
Autori dyshohet se është afruar në mënyrë të befasishme me një skuter elektrik dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të 39-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja është regjistruar pak para orës 13:00, ndërsa pas atentatit, i dyshuari është larguar me shpejtësi nga zona, duke u zhdukur brenda pak sekondash.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje të mëtejshme mbi identitetin e viktimës apo motivet që mund të kenë çuar në këtë atentat.
Mënyra e organizimit dhe largimi i shpejtë i autorit kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për një sulm të planifikuar, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbuluar rrethanat e plota të ekzekutimit.