Shtetet e Bashkuara po përpiqen të hapin një kanal të drejtpërdrejtë dialogu mes Moskës dhe vendeve europiane, ndërsa përgatitet raundi i ardhshëm i negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Lajmi është bërë i ditur nga Jared Kushner, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se Uashingtoni po punon për përfshirjen e partnerëve europianë në procesin diplomatik.
Pas takimeve trepalëshe me përfaqësuesit rusë dhe ukrainas në Abu Dhabi, si dhe bisedimeve me Vladimir Putinin në Moskë dhe Volodymyr Zelenskyn në Dublin, Kushner tha se janë shfaqur disa ide të reja që mund të ndihmojnë në kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes palëve.
“Disa prej tyre mund të çojnë drejtpërdrejt në përparime të rëndësishme, ndërsa të tjerat mund të zhvillohen në propozime të reja për të ngushtuar diferencat”, deklaroi ai.
Kushner theksoi se si Moska, ashtu edhe Kievi e kuptojnë se për t’i dhënë fund luftës do të nevojiten kompromise praktike.
Një nga çështjet kryesore në negociata mbetet përfshirja e Europës në diskutimet për sigurinë e pasluftës. Sipas Kushner, çdo marrëveshje duhet të përmbajë garanci të besueshme sigurie për Ukrainën dhe mekanizma që të parandalojnë një konflikt të ri.
Megjithatë, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e ndërlikuar. Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta, veçanërisht për çështjen e territoreve dhe garancitë e sigurisë.
Për momentin, nuk ka një marrëveshje paqeje, por Uashingtoni po përpiqet të zgjerojë formatin diplomatik dhe të përfshijë drejtpërdrejt edhe partnerët europianë në negociata.