Prokuroria e Posaçme ka zbardhur me detaje akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy subjekteve juridike, në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025.
Sipas kërkesës për gjykim, hetimi përfshin 10 procedura prokurimi publik, me vlerë të konsiderueshme financiare, ku SPAK pretendon se janë kryer veprime për paracaktimin e kompanive fituese, kufizimin e konkurrencës, vendosjen e kritereve favorizuese dhe miratimin e preventivave me çmime e volume të fryra.
Në qendër të dosjes është Belinda Balluku, për të cilën SPAK pretendon se ka ndikuar drejtpërdrejt në procedurat e tenderimit, edhe në rastet kur përgjegjësitë formale i ishin deleguar zyrtarëve të tjerë. Krahas akuzave për shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion, hetimi përfshin edhe dy vila në bregdet, të cilat sipas prokurorisë janë përfituar në këmbim të favorizimit të kompanive private dhe janë fshehur përmes dokumentacionit të krijuar në emër të personave të tjerë.
10 tenderat nën hetim dhe kompanitë që SPAK pretendon se u favorizuan
1. Tuneli i Llogarasë – 18.9 miliardë lekë pa TVSH
Kjo është një nga procedurat kryesore të dosjes. Sipas SPAK, Balluku, megjithëse kishte deleguar formalisht kompetencat e titullarit të autoritetit kontraktor te Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë, Viola Haxhiademi, ka ndjekur dhe orientuar të gjithë procesin, nga përgatitja e tenderit deri në lidhjen e kontratës.
Prokuroria pretendon se përmes kontakteve me Evis Berberin dhe përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse, është synuar paracaktimi i bashkimit të operatorëve turq “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat” si fitues të tenderit.
Sipas hetimeve, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, e shpallën fitues këtë bashkim operatorësh, ndonëse, sipas SPAK, nuk plotësonte kriteret e tenderit.
Një tjetër problematikë lidhet me përllogaritjen e fondit limit. Viola Haxhiademi, Ergys Verdho dhe Genti Raça akuzohen se kanë miratuar një preventiv me çmime të fryra, në kundërshtim me manualet teknike të ndërtimit.
SPAK pretendon se kjo i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 2 miliardë e 6 milionë lekësh.
Por hetimi nuk është ndalur këtu. Gjatë zbatimit të kontratës është miratuar edhe një preventiv i rishikuar, me volume dhe çmime të fryra, pa analizat dhe verifikimet e nevojshme teknike. Për këtë procedurë akuzohen Viola Haxhiademi, Gentian Gjyli, Genti Raça, Adja Strazimiri, Anila Sulollari dhe Adrian Kroi.
Dëmi ekonomik që SPAK pretendon se është shkaktuar nga preventivi i rishikuar arrin në 5.47 miliardë lekë.
2. Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT – 2.37 miliardë lekë
Në këtë tender, SPAK pretendon se Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Miranda Shkurti kanë orientuar procedurën për të favorizuar kompaninë “Salillari” sh.p.k.
Sipas dosjes, zyrtarët e ARRSH-së Gentian Gjyli, Genti Raça dhe Erald Elezi kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë përllogaritjes së preventivit, hartimit të relacionit teknik dhe përcaktimit të fondit limit.
Ndërkohë, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi, akuzohen se kanë shkurtuar afatin ligjor për paraqitjen e ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kompanive të huaja.
3. Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2 – 2.48 miliardë lekë
SPAK pretendon se Balluku, Berberi dhe Miranda Shkurti kanë ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e bashkimit të kompanive “4A-M”, “ED Konstruksion” dhe “IDK Konstruksion”.
Për këtë procedurë, Eduart Agalliu, Arbër Troka dhe Genti Raça akuzohen se kanë shkurtuar afatin për dorëzimin e ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, me pasojë kufizimin e konkurrencës dhe favorizimin e operatorit fitues.
4. Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë, urat mbi lumin e Tiranës – 2.55 miliardë lekë
Edhe në këtë tender, sipas SPAK, është ndjekur e njëjta skemë e dyshuar e favorizimit të kompanive.
Balluku, Berberi dhe Miranda Shkurti akuzohen se kanë ndikuar në favorizimin e kompanisë “Albstar” sh.p.k.
Ndërkohë, Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi akuzohen se kanë shkurtuar afatet e paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj.
5. Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 4 – 2.09 miliardë lekë
Në këtë procedurë, kompania që SPAK pretendon se është favorizuar është bashkimi i operatorëve “Euroteorema Peqin”, “PE-VLA-KU” dhe “Nova Construction 2012”.
Sipas prokurorisë, Balluku, Evis Berberi dhe Miranda Shkurti kanë ndikuar në orientimin e procedurës drejt këtij bashkimi kompanish.
Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi akuzohen për shkurtimin e afateve dhe vendosjen e kritereve të paargumentuara.
Ndërsa Erald Elezi, Klarita Konomi dhe Miranda Shkurti akuzohen se e kanë kualifikuar operatorin fitues në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.
6. Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 5 – 1.93 miliardë lekë
Këtë herë, sipas SPAK, është favorizuar bashkimi i kompanive “G.P.G Company” dhe “Senka”.
Balluku, Berberi dhe Miranda Shkurti akuzohen për ndikim në paracaktimin e fituesit.
Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, si anëtarë të Njësisë së Prokurimit, akuzohen se kanë shkurtuar afatet e paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara.
Ndërkohë, Gëzim Noni, Genti Raça dhe Arlinda Gordani akuzohen se e kanë shpallur fitues këtë bashkim operatorësh në kundërshtim me kriteret e tenderit.
7. Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 6 – 1.81 miliardë lekë
Kompania që SPAK pretendon se është favorizuar në këtë procedurë është “Gjoka Konstruksion” sh.a.
Sipas hetimeve, Balluku, Berberi dhe Miranda Shkurti kanë ndikuar në favorizimin e saj.
Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali akuzohen për shkurtimin e afateve ligjore të paraqitjes së ofertave dhe kufizimin e konkurrencës.
Ndërsa Genti Raça, Arlinda Gordani dhe Gëzim Noni akuzohen se e kanë shpallur fituese kompaninë në kundërshtim me kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.
8. Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 7 – 2.35 miliardë lekë
Kjo procedurë është ndër më të rëndësishmet në dosje, pasi lidhet edhe me akuzat për përfitimin e vilës në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.
SPAK pretendon se Balluku, Berberi dhe Miranda Shkurti kanë ndikuar në favorizimin e bashkimit të operatorëve “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k.
Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali akuzohen se kanë shkurtuar afatet ligjore dhe kanë kufizuar konkurrencën.
Ndërsa Arbër Troka, Arlinda Gordani dhe Gëzim Noni akuzohen se kanë shpallur fitues këtë bashkim kompanish në kundërshtim me kriteret e tenderit.
Një tjetër element është dokumentacioni i paraqitur nga administratori i “Alko-Impex”, Arbër Abazi, i cili akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë dhe falsifikim të dokumenteve, pasi sipas SPAK ka paraqitur dokumentacion të rremë për plotësimin e kritereve të tenderit.
9. Rruga Porto Romano, Durrës, Loti 3 – 1.49 miliardë lekë
Në këtë procedurë, kompania që SPAK pretendon se është favorizuar është “Geci” sh.p.k.
Balluku, Berberi dhe Miranda Shkurti akuzohen se kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin e fituesit.
Ndërkohë, Arlinda Gordani, Miranda Shkurti dhe Adja Strazimiri, si anëtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohen se e kanë shpallur fituese kompaninë në kundërshtim me kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.
10. Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol – 88.6 milionë lekë
Kjo procedurë lidhet me periudhën kur Belinda Balluku drejtonte Albcontrol.
Sipas SPAK, ajo, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe Evis Berberin, ka krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë “Eurocol” sh.p.k.
Prokuroria pretendon se favorizimi ka nisur që në përgatitjen e projektit dhe përcaktimin e kritereve të tenderit, ndërsa ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, duke i mundësuar kompanisë një parapagim prej 50% të vlerës së kontratës që në momentin e nënshkrimit.
Sipas hetimeve, në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka kërkuar dhe marrë një përfitim të parregullt në formën e një vile në resortin turistik “White Rocks”, në Dhërmi, me vlerë 145 mijë euro sipas kontratës së porosisë.
Dy vilat në Dhërmi dhe Palasë, SPAK pretendon se ishin pagesa për tenderat
Vila në Green Coast, Palasë – 1.1 milionë euro
Sipas hetimeve, Belinda Balluku ka pronësi faktike mbi një vilë familjare me sipërfaqe totale 478 m², në kompleksin turistik “Green Coast”, në Palasë.
SPAK pretendon se investimi për këtë vilë ka nisur nga Igli Tare, i cili ka paguar 250 mijë euro deri në fazën e karabinasë. Më pas, punimet janë vijuar nga Arbër Abazi, administrator i kompanisë “Alko-Impex General Construction”.
Sipas prokurorisë, preventivi për punimet e mëtejshme të vilës dhe pishinës varionte nga 288 mijë deri në 410 mijë euro, ndërsa punimet e realizuara nga Abazi kapnin vlerën 13.8 milionë lekë.
SPAK pretendon se investimi i Arbër Abazit për përfundimin e vilës, gjatë viteve 2022-2023, ishte përfitim i parregullt për Ballukun, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij në tenderin e Unazës së Jashtme, Loti 7.
Gjithashtu, prokuroria pretendon se 250 mijë eurot e paguara nga Igli Tare nuk janë deklaruar nga Balluku në deklaratat periodike të pasurisë. Sipas hetimit, dokumentacioni i pronësisë është krijuar në emër të Tares për të fshehur pronësinë faktike të ish-ministres.
Vila në White Rocks, Dhërmi – 720 mijë euro
Pasuria e dytë lidhet me një vilë dykatëshe, tip “Begonia”, me numër F6, në resortin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut.
Prona ka një parcelë prej të paktën 300 m², sipërfaqe ndërtimore 103 m² dhe verandë 34 m².
Sipas SPAK, Balluku ka kërkuar dhe marrë këtë pasuri, me vlerë 145 mijë euro sipas kontratës fiktive të porosisë, në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në tenderin e rikonstruksionit të godinës teknologjike të Albcontrol.
Prokuroria pretendon se vila është regjistruar përmes një kontrate porosie në emër të Igli Tares, ndërsa për fshehjen e pronësisë janë përdorur edhe veprime të tjera fiktive.
Në këtë skemë, sipas hetimit, janë përfshirë edhe Pandeli Carapuli, pronar i kompanisë “Eurocol”, dhe Joana Bushi, e cila akuzohet se ka lidhur një kontratë fiktive qiraje me Igli Taren.
SPAK pretendon se Balluku nuk e ka deklaruar këtë pasuri në deklaratat periodike, pavarësisht detyrimit ligjor.
Vlera e përgjithshme e dy vilave sipas vlerësimit të pasqyruar në dosje: 1.830.000 euro. Pasuritë janë sekuestruar.
Çfarë akuzash rëndojnë mbi 26 të pandehurit?
Përtej Ballukut, SPAK ka individualizuar përgjegjësitë penale të ish-drejtuesve dhe punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ARRSH-së, si dhe të personave të lidhur me kompanitë private.
I pandehuri dhe akuza
1.Belinda Balluku
Shkelje e barazisë në tendera (9 herë), korrupsion pasiv, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, mosdeklarim ose fshehje pasurie (2 herë) dhe pastrim parash.
2.Viola Haxhiademi
Shpërdorim detyre në bashkëpunim.
3.Evis Berberi
Shkelje e barazisë në tendera (9 herë).
4.Ergys Verdho
Shpërdorim detyre në bashkëpunim.
5.Gentian Gjyli
Shkelje e barazisë në tendera (2 herë) dhe shpërdorim detyre.
6.Erald Elezi
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë).
7.Genti Raça
Shkelje e barazisë në tendera (4 herë) dhe shpërdorim detyre.
8.Miranda Shkurti
Shkelje e barazisë në tendera (8 herë).
9.Jetmira Dervishi
Shkelje e barazisë në tendera.
10.Mirzeta Kashnica
Shkelje e barazisë në tendera.
11.Jonida Çeçe
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë).
12.Klarita Konomi
Shkelje e barazisë në tendera.
13.Arbër Troka
Shkelje e barazisë në tendera (2 herë).
14.Adja Strazimiri
Shkelje e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.
15.Anila Sulollari
Shpërdorim detyre.
16.Adrian Kroi
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë) dhe shpërdorim detyre.
17.Gëzim Noni
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë).
18.Nikollaq Mihali
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë).
19.Eduart Agalliu
Shkelje e barazisë në tendera.
20.Arlinda Gordani
Shkelje e barazisë në tendera (4 herë).
21.Denis Xhoxhi
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë).
22.Dhurata Lazaj
Shkelje e barazisë në tendera (3 herë).
23.Joana Bushi
Pastrim i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim.
24.Igli Tare
Pastrim i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
25.Pandeli Carapuli
Pastrim i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim.
26.Arbër Abazi
Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë dhe falsifikim dokumentesh, më shumë se një herë.
SPAK bën me dije se vlera e përgjithshme e dy pasurive të sekuestruara arrin në 1.83 milionë euro. Ndërkohë, hetimet për fakte të tjera penale vijojnë në kuadër të një procedimi të ndarë, me numër 136/1 të vitit 2026.
SHËNIM: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë