Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda pritet të njoftojnë krijimin e një qendre kthimi për migrantët në Kigali të Ruandës. Sipas burimeve diplomatike, projekti pilot synon të përfshijë fillimisht rreth 100 persona, si pjesë e përpjekjeve të vendeve evropiane për të rritur deportimet dhe për të frenuar migrimin e parregullt.
Qendra pritet të funksionojë në kryeqytetin e Ruandës dhe të jetë pjesë e një mekanizmi të ri të Bashkimit Evropian, pas reformave të fundit që lejojnë krijimin e qendrave të kthimit jashtë territorit të bllokut.
Sipas burimeve diplomatike, skema do të zbatohet vetëm për azilkërkuesit që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për të qëndruar në Bashkimin Evropian. Kjo e dallon projektin nga marrëveshja e Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, e cila parashikonte dërgimin e azilkërkuesve atje për shqyrtimin e kërkesave të tyre.
Marrëveshja britanike nuk u zbatua për shkak të sfidave ligjore dhe u anulua përfundimisht nga qeveria e re laburiste në vitin 2024.
Në gusht, autoritetet e Ruandës konfirmuan se kishin nisur “diskutime paraprake” me disa shtete evropiane për këtë çështje.
Projekti mund të nisë në vitin 2027
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga agjencia AFP, qendra do të presë fillimisht rreth 100 persona. Secili prej pesë shteteve pjesëmarrëse mund të dërgojë rreth 20 migrantë.
Vendet e përfshira në diskutime shpresojnë që qendra të vihet në funksion gjatë vitit 2027. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e Kombeve të Bashkuara mund të ketë një rol ndihmës në zbatimin e skemës.
Një zëdhënës i IOM-it tha se organizata ka përvojë të gjatë në ofrimin e ndihmës për migrantët në situata tranziti, përfshirë edhe kontekste komplekse.
Ai konfirmoi se agjencia ishte në diskutime me disa vende të BE-së “mbi planet për krijimin e qendrave të kthimit ose mekanizmave të ngjashëm”.
Organizatat e të drejtave të njeriut ngrenë shqetësime
Nisma ka ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të njeriut në vendin pritës.
Clementine de Montjoye, studiuesja e lartë për Afrikën në organizatën Human Rights Watch, tha se zgjedhja e Ruandës është shqetësuese për shkak të asaj që ajo e cilësoi si një histori të dokumentuar të shtypjes së disidentëve, ndalimeve arbitrare dhe keqtrajtimit në paraburgim. Ajo përmendi gjithashtu mbështetjen e pretenduar të qeverisë ruandeze për rebelët e armatosur në Republikën Demokratike të Kongos.
“Pagesa e Kigalit për të organizuar një program deportimi jo vetëm që do të shkaktonte vuajtje dhe dëm për ata që deportohen, por do të financonte dhe do t’i jepte ndikim politik një qeverie përgjegjëse për abuzime serioze të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi de Montjoye.
Projekti pritet të jetë pjesë e debatit më të gjerë në BE për politikat e migracionit dhe mënyrat e zbatimit të vendimeve të kthimit për personat që nuk kanë më të drejtë ligjore të qëndrojnë në territorin e unionit.