Trupat britanike dhe forcat e vendeve të tjera evropiane që mund të vendosen në Ukrainë pas një armëpushimi do të kenë të drejtën të kundërpërgjigjen me zjarr nëse sulmohen nga Rusia. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë perëndimorë, sipas të cilëve forca shumëkombëshe do të ketë karakter mbrojtës dhe do të udhëhiqet nga Britania e Madhe dhe Franca.
Sipas raportimeve të The Guardian, forca nuk pritet të mbështetet në sisteme apo teknologji amerikane, përfshirë rrjetin satelitor Starlink të Elon Musk. Nëse vendoset, ajo do të jetë pothuajse tërësisht evropiane dhe do të veprojë jashtë strukturave të NATO-s.
“Është e qartë se ne do t’i mbrojmë forcat tona nga çdo agresion”, tha një zyrtar perëndimor i njohur me planet, duke theksuar se trupat do të angazhoheshin në një mënyrë “me natyrë mbrojtëse”.
Stërvitja shumëkombëshe në Poloni
Detajet u bënë publike në kohën kur Britania e Madhe dhe Franca kanë nisur përgatitjet për stërvitjen ushtarake “Koalicja”, e planifikuar të zhvillohet më vonë gjatë muajit në Poloni.
Në stërvitje do të marrin pjesë 11 vende, me rreth 2 800 ushtarë, marinarë dhe pjesëtarë të forcave ajrore. Franca do të kontribuojë me 1 500 trupa nga Divizioni i Parë, ndërsa Britania e Madhe me 300 efektivë nga Brigada e 7-të e Mekanizuar e Lehtë.
Sipas gjeneralit britanik Tom Bateman, që drejton forcën, stërvitja synon të testojë gatishmërinë ushtarake, aftësinë për dislokim të shpejtë dhe bashkëveprimin mes ushtrive evropiane. Në të njëjtën kohë, ajo do të provojë planet për një vendosje të mundshme në Ukrainë pas përfundimit të luftimeve.
Në koalicion marrin pjesë gjithashtu Polonia, Gjermania, Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Turqia.
Pa mbështetje amerikane
Forca e planifikuar do të veprojë jashtë NATO-s dhe pritet të mos mbështetet në teknologjinë ushtarake amerikane. Kjo përfshin edhe sistemet satelitore Starlink, të cilat kanë pasur rol të rëndësishëm në komunikimet dhe operacionet ukrainase gjatë luftës.
“Ne nuk jemi të varur nga sistemet amerikane”, tha një zyrtar, kur u pyet nëse forca shumëkombëshe do të përdorte Starlink për komunikime.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk synon të angazhojë trupa amerikane për ruajtjen e paqes në Ukrainë, në rast të arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm. Ndërkohë, SHBA-ja ka vijuar përpjekjet për ndërmjetësimin e negociatave mes Kievit dhe Moskës.
Misioni i mundshëm dhe rreziqet e përshkallëzimit
Edhe pse vendosja e trupave perëndimore në Ukrainë mbetet hipotetike, një skenar i tillë ngre pikëpyetje për mënyrën se si do të reagonte Rusia në rast të një incidenti të armatosur.
Sipas raportimeve, rregullat e angazhimit do t’u lejonin trupave të mbroheshin nga sulmet, përfshirë ato me dronë. Kjo vjen në një kontekst ku gjatë periudhës 2014–2022 janë raportuar shkelje dhe sulme edhe gjatë armëpushimeve në Ukrainë.
Një nga objektivat kryesore të forcës do të ishte mbështetja për rindërtimin dhe forcimin e ushtrisë ukrainase pas luftës. Trupat evropiane pritet të vendosen larg vijës së frontit.
Planet përfshijnë gjithashtu patrullime ajrore për të ndihmuar në rihapjen e aeroporteve tregtare të Ukrainës, si dhe operacione për pastrimin e minave në Detin e Zi. Ky operacion detar pritet të drejtohet nga Turqia dhe do të synojë rikthimin e lëvizjes së lirë të anijeve dhe eksporteve të drithërave.