Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e një kënge nacionaliste serbe, të interpretuar gjatë koncertit të organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit në Bruksel. Ajo theksoi se kënga nuk përfaqëson qëndrimet e Komisionit Evropian.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, deklaroi Kos.
Ajo shtoi se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për sakrificat që kanë përjetuar njerëzit në atë pjesë të Evropës në të kaluarën.
Duke folur për rëndësinë e pajtimit, komisionerja theksoi se e ardhmja e përbashkët evropiane nuk kërkon harrimin e dallimeve historike.
“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, u shpreh ajo.
Historia dhe përmbajtja e këngës
Kënga “Sa Kosova zora sviće”, e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, përkthehet në shqip si “Nga Kosova zbardh agimi”. Ajo u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb Ljubomir Manasijević.
Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Večernje novosti”, frymëzimi për këngën erdhi nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.

Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës.
Në një prej vargjeve thuhet “Ne damo te Kosovo”, që përkthehet “Nuk të japim, Kosovë”. Në pjesë të tjera, Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.
Edhe pse në mediat serbe është përshkruar si këngë patriotike, përmbajtja e saj përfshin mesazhe nacionaliste që shprehin kundërshtimin ndaj heqjes dorë nga Kosova.
Kënga u krijua në vitin 1989, në periudhën e rritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviçit.