Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në Dublin të Irlandës, përpara nisjes së punimeve të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC).
Takimi zhvillohet në kuadër të samitit që mbledh liderë nga dhjetëra vende europiane. Në qendër të diskutimeve janë siguria e kontinentit, bashkëpunimi politik dhe ekonomik, si dhe zhvillimet e luftës në Ukrainë.
Para gazetarëve në Dublin, Rama u ndal te roli i Europës në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se negociatat me Moskën nuk duhet t’u lihen vetëm Shteteve të Bashkuara, Kinës apo Indisë.
Sipas kryeministrit, krahas mbështetjes ushtarake për Ukrainën, Europa duhet të mbajë të hapur edhe kanalin e dialogut me Rusinë.
“Duhet të shohim atë që duhet bërë në interesin më të mirë të komunitetit europian. Unë besoj se është bërë gabim që diplomacia u është lënë në dorë të të tjerëve. Ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi për Rusinë. Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë askund dhe do të qëndrojë aty dhe e ardhmja e kontinentit është e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet. Ndërkohë që mbështesim gjatë gjithë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, u shpreh Rama.