Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e kësaj të premteje në aksin kombëtar Tuneli i Krrabës–rrethrrotullimi i Bradasheshit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në të dyja makinat, të cilat kanë mbetur pjesërisht të shkatërruara nga goditja.
Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare për persona të lënduar, ndërsa mbetet e paqartë nëse drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët kanë pësuar dëmtime.
Aksi rrugor kishte shfaqur vështirësi në qarkullim edhe më herët gjatë ditës, që prej orës 15:30, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve.
Ndërkohë, shkaqet dhe rrethanat e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Pritet që autoritetet të japin informacione të mëtejshme lidhur me dinamikën e përplasjes dhe pasojat e saj.