Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën 61-vjeçarit shqiptar Bashkim Rushani në Itali. Ai humbi jetën pasi një portë e rëndë metalike u shkëput dhe e zuri poshtë, teksa po kryente punime në një pronë private në qytetin e Casarano, në provincën e Leçes.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 4 nëntorit, në zonën Contrada Spagnolo. Sipas mediave italiane, Rushani, i cili zotëronte një kompani ndërtimi, po punonte për riparimin e disa shtyllave mbajtëse të një porte rrëshqitëse, kur struktura metalike u shemb papritur duke e zënë poshtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, 61-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Në vendngjarje mbërritën edhe karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë, të cilët nisën hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë për aksidentin.
Por historia e Bashkim Rushanit nuk lidhet vetëm me sipërmarrjen në sektorin e ndërtimit. Ai ishte gjithashtu një artist, i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku kishte kultivuar pasionin për pikturën dhe skulpturën bashkëkohore. Gjatë viteve kishte marrë pjesë në kurse dhe ekspozita artistike, duke vijuar të merrej me krijimtarinë edhe krahas punës së tij.
Jeta e tij në Itali nisi në vitin 1992, kur u largua nga Shqipëria në valën e madhe të emigrimit drejt vendit fqinj, me një prej anijeve që transportonin shqiptarë drejt brigjeve italiane. Fillimisht u vendos në Casarano, ku arriti të ndërtonte jetën e tij dhe të integrohej në komunitetin vendas. Më vonë fitoi edhe shtetësinë italiane.
Për rreth tri dekada, Rushani punoi në ndërtim, por nuk e braktisi asnjëherë dashurinë për artin. Miqtë dhe të njohurit e kujtojnë si një njeri të veçantë, me shpirt krijues dhe pasion të madh për artin.
“Jam i tronditur. U njohëm në vitin 1998 dhe na bashkonte pasioni për artin. Kishte një krijimtari të jashtëzakonshme, ishte një artist i gjithanshëm. Humbëm një njeri të mrekullueshëm”, është shprehur miku i tij, avokati Giovanni Bellisario.
Ndërkohë, Prokuroria e Leçes ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia ndaj personave ende të paidentifikuar, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive për shembjen e portës metalike.