Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë këtë të hënë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që zhvillohet në Bruksel me temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”. Gjatë vizitës, ai pritet të zhvillojë takime me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Forumi do të përqendrohet te progresi i vendeve kandidate, Paketa e Zgjerimit për këtë vit dhe perspektiva e një Bashkimi Evropian më të zgjeruar dhe më rezistent.
Kryeministri Rama do t’i drejtohet panelit me temë “Realizimi i Zgjerimit: Reformat, Investimet dhe Rritja Ekonomike”, ku pritet të diskutohet mbi rolin e reformave dhe investimeve në procesin e integrimit evropian.
Rama: Anëtarësimi në BE duhet të bazohet te meritat
Javën e kaluar, kreu i qeverisë shqiptare mori pjesë në takimin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian në Dublin. I pyetur nga gazetarët për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Rama theksoi se nuk ka rrugë tjetër drejt anëtarësimit përveç procesit të bazuar në merita.
Duke folur për rolin e Shqipërisë në diskutimet evropiane, ai u shpreh se vendi e njeh peshën e tij dhe nuk synon t’u japë leksione shteteve të tjera.
“Ne jemi shumë të vegjël dhe e dimë vendin tonë, ndaj nuk na takon t’u japim leksione të tjerëve apo të përfaqësojmë të gjithë. Unë jam më i gjati, por drejtoj një vend shumë të vogël. Nuk bëhet fjalë për gjatësinë time, por për peshën e vendit”, u shpreh Rama më 12 nëntor.