Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas publikimit të disa lajmeve në media, sipas të cilave ai kishte zhvilluar negociata me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta. Ai ka theksuar se votat e qytetarëve nuk i ka përdorur asnjëherë për interesa apo pazare personale dhe se marrja e posteve drejtuese nuk ka qenë synimi i tij në politikë.
Në reagimin e tij, deputeti socialist iu drejtua edhe 25 mijë qytetarëve që e votuan në Qarkun e Tiranës, prej të cilëve rreth 19 mijë vetëm në Bashkinë e Tiranës, duke nënvizuar se besimin e tyre e ka konsideruar gjithmonë si përgjegjësi për të bërë punën e tij.
Braçe nuk i ka kursyer as ironitë dhe kritikat ndaj mediave që publikuan lajmet për negociatat e pretenduara me Ramën, duke përmendur edhe një artikull me titullin: “Qeni që leh nuk të ha, sidomos kur bëhesh ministër”.
“Turp a ke? Turp të vijë!”, u shpreh Braçe, ndërsa në fund të reagimit hodhi akuza për media që, sipas tij, paguhen nga persona të caktuar, përfshirë edhe individë brenda Partisë Socialiste.
Deputeti e mbylli reagimin duke përsëritur se postet dhe karriget nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë qëllimi i tij, ndërsa prioritet mbetet puna dhe besimi i qytetarëve.