Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një vizitë në pallatin 5-katësh në Elbasan, ku shpërthimi tragjik i bombolës së gazit u mori jetën dy personave.
Gjatë vizitës, Demo u shpreh se institucionet po shqyrtojnë hapat që do të ndiqen për zgjidhjen e situatës, pasi vlerësimi i Institutit të Ndërtimit ka konstatuar se pallati është i dëmtuar dhe i pabanueshëm.
Ministri bëri të ditur se po diskutohen disa alternativa, përfshirë rindërtimin e objektit apo gjetjen e formave të tjera për akomodimin e banorëve dhe familjeve që kanë pasur banesat në këtë pallat.
“Ne jemi duke parë me të gjitha institucionet vazhdimësinë dhe se si do të marrim zgjidhje për këtë problem. Duke filluar me vlerësimin e Institutit të Ndërtimit që tashmë e ka nxjerrë që pallati është i dëmtuar dhe është i pabanueshëm.
Dhe ky problem strukturor që ka pallati tashmë do të thotë që ne duhet të marrim vendimin se si do të ecim në vazhdim, duke trajtuar të gjitha alternativat e rindërtimit apo duke parë dhe forma të tjera për ta akomoduar të gjithë banorët dhe familjet që kanë pasur banesa aty.
Unë sot jam këtu për të diskutuar me të gjitha institucionet lokale, për të trajtuar se cilat janë rrugët që ne duhet të ndjekim për t’i dhënë zgjidhje problematikës në afatgjatë dhe çfarë elementësh të tjerë duhen për të kaluar këtë moment tranzitor”, deklaroi Demo.
Aktualisht, prioritet mbetet gjetja e një zgjidhjeje për familjet e prekura nga shpërthimi, ndërsa institucionet po shqyrtojnë masat që do të ndërmerren për strehimin e tyre dhe për të ardhmen e pallatit të dëmtuar.