Është identifikuar shqiptari që u ekzekutua me armë zjarri mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën e Alicante-s, në Spanjë. Viktima është Luka Beqiraj, 39 vjeç, me origjinë nga Vlora.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club, ku shqiptari ndodhej në tarracën e një lokali kur u bë shënjestër e një sulmi të armatosur.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, autori i dyshuar është afruar pranë lokalit me një patinë elektrike dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të 39-vjeçarit. Pas atentatit, ai është larguar me të njëjtin mjet, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan t’i japin ndihmën e nevojshme shqiptarit, por plagët e marra rezultuan fatale.
Hetimet paraprake të policisë spanjolle hedhin dyshime se vrasja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e atentatit.
Hetuesit e Guardia Civil po analizojnë rrethanat e ngjarjes dhe lëvizjet e autorit para dhe pas sulmit, ndërsa vijojnë kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë, autopsia e viktimës pritet të kryhet të mërkurën, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të vrasjes që tronditi komunitetin shqiptar në Spanjë.