Policia e Durrësit ka dhënë informacionin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Rrushkull, në Manëz, ku një 37-vjeçar dyshohet se ka dhunuar rëndë dy prindërit e tij.
Sipas njoftimit të uniformave blu, shtetasi E. K., 37 vjeç, i cili raportohet se ka probleme të shëndetit mendor, ka goditur me sende të forta babanë e tij, S. K., 72 vjeç, dhe nënën, F. K., 69 vjeçe.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se 69-vjeçarja ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe aktualisht është në gjendje të stabilizuar.
Ndërkohë, gjendja e bashkëshortit të saj paraqitet më e rëndë. 72-vjeçari ka pësuar dëmtime në kokë dhe është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku do të marrë trajtim më të specializuar.
Policia konfirmon se 37-vjeçari Emir K. është shoqëruar në ambientet e saj për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e kësaj ngjarjeje.