Erion Veliaj ka shpërndarë në rrjetet sociale deklaratën e eurodeputetit italian Giorgio Gori, i cili ka kërkuar sqarime lidhur me paraburgimin e zgjatur të kryebashkiakut të Tiranës.
Në deklaratën e tij për gazetën italiane Domani, Gori bën të ditur se rasti i Veliajt do të ngrihet edhe në Parlamentin Europian. Ai thekson gjithashtu se i ka kërkuar zyrtarisht Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, shpjegime për këtë çështje.
Eurodeputeti italian u shpreh se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të gjykuar nëse Veliaj është fajtor apo i pafajshëm, por ngriti shqetësime për respektimin e garancive procedurale dhe përdorimin e paraburgimit në Shqipëri.
“Nuk kam informacion të mjaftueshëm për të gjykuar pafajësinë apo fajësinë e Veliajt, por prirem të mbështes parimin e prezumimit të pafajësisë dhe, në këtë rast, mungojnë garancitë minimale”, deklaroi Gori.
Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e personave që ndodhen në burgjet shqiptare mbahen në paraburgim pa pasur një dënim të formës së prerë. Sipas tij, kjo problematikë duhet të trajtohet edhe gjatë negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Postimi i plotë:
Eurodeputeti italian, Giorgio Gori, kërkon shpjegime lidhur me rastin e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në një deklaratë për gazetën “Domani”, ai ka deklaruar se rasti Veliaj “do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian” dhe se i ka kërkuar zyrtarisht sqarime Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
“Nuk kam informacion të mjaftueshëm për të gjykuar pafajësinë apo fajësinë e Veliajt, por prirem të mbështes parimin e prezumimit të pafajësisë dhe, në këtë rast, mungojnë garancitë minimale. Në këtë rast nuk është zhvilluar as seancë dëgjimore. Rasti bën pjesë në problematikën e paraburgimit, që më duket mjaft patologjike në Shqipëri. Një pjesë e madhe e popullsisë së burgjeve mbahet pas hekurave pa pasur një dënim të formës së prerë. Kjo është një çështje që duhet të ngrihet gjatë negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të cilat, megjithatë, po përparojnë pozitivisht. Sigurisht që ka pasur përparime. Por personat nën hetim nuk mund të mbahen në burg. Rasti Veliaj do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian”.