Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, pas një ftese nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Forumi ndërkombëtar këtë vit ka në fokus qeverisjen efektive si një element kyç për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, garantimin e stabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit. Diskutimet zhvillohen në një periudhë të shënuar nga ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, përparime teknologjike dhe sfida të shumta klimatike.
Gjatë qëndrimit në Paris, Rama do të jetë pjesë e një sesioni të veçantë në formatin “Spotlight”, ku pritet të flasë për perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për brezat e rinj.
Kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë gjithashtu në seancën plenare të Forumit, e titulluar “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), ku në qendër të diskutimeve do të jetë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dimensionet e tij të ndryshme.