Ulja e ndjeshme e temperaturave në fund të tetorit ka sjellë reshjet e para të dëborës në zonat e larta malore të Shqipërisë. Në veri të vendit, bjeshkët janë zbardhur, ndërsa temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero.
Reshjet e para janë regjistruar në zonat e larta të qarkut të Kukësit, ku dëbora ka mbuluar bjeshkët dhe disa fshatra. Sipas raportimeve nga barinjtë që ndodhen në stane me bagëtitë e tyre, i ftohti është ndier ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.
Sipas çobanit Ekrem Onuzi, reshjet kanë përfshirë bjeshkët e Gjalisë, në vendin e quajtur Sasat, në një lartësi prej 1 530 metrash mbi nivelin e detit.
Dëborë është regjistruar edhe në zona mbi 1 000 metra lartësi, duke zbardhur ndër të tjera fshatin Shishtavec.
Reshjet e para të dëborës kanë përfshirë gjithashtu bjeshkët dhe majat e larta të Valbonës, në Tropojë. Temperaturat e ulëta kanë shoqëruar reshjet, duke shënuar ardhjen e dëborës së parë të sezonit në këto zona.
Ndërkohë, në zonat e ulëta dhe në qytetet Kukës, Krumë dhe Bajram Curri, moti është karakterizuar nga reshje shiu, mjegull dhe temperatura të ulëta, tipike për fundin e vjeshtës.