Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke pretenduar se përshkallëzimi i tyre është përgatitur prej muajsh dhe se në të janë përfshirë grupe të organizuara, financime nga jashtë dhe forca të huaja.
Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se protestat paqësore kanë arsye legjitime, por pretendoi se ato janë ndikuar nga aktorë të tjerë dhe se vala e fundit e protestave është shoqëruar me dhunë të organizuar.
Kreu i qeverisë deklaroi se policia disponon të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive përmes doganave, si dhe për organizimin e grupeve që, sipas tij, lidhen me rrjetin ANTIFA.
“Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë përmes doganës nga subjekte të caktuara janë në duart e policisë”, tha Rama.
Ai pretendoi gjithashtu se një pjesë e personave të përfshirë në aktet e dhunës janë financuar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, përmes parave që vijnë nga jashtë. Në vijim të deklaratës, Rama kritikoi edhe Partinë Demokratike, duke e akuzuar për përgjegjësi në nisjen e dhunës pranë Ministrisë së Arsimit.
Rama: Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore e Flamingove kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime, mund të jenë edhe të pafundme por që në krye të herës ajo protestë ishte e infelcuar rëndë nga forca të tjera ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë përmes doganës nga subjekte të caktuara janë në duart e policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA që në emër të neo komunizmit, anarkisë dhe anti kapitalizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës janë duart e policisë së shtetit. Në duart e policisë së shtetit janë edhe pjesëmarrësit apo një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar nga krimi i organizuara dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë, ku qershia mbi tortë, ose më sakta glasa mbi tortë është PD, e cila dje mori dhe autorësinë e fillimit të dhunës tek ministria e Arsimit.