Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, në prag të protestës së paralajmëruar për të shtunën.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se protestat në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare vijojnë, ndërsa disa prej tyre janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, përdorim të mjeteve ndezëse, hedhje gurësh dhe dëmtime të pronës.
Sipas paralajmërimit, demonstrata të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë, ashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Ato mund të shtrihen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, bllokime të qarkullimit, devijime dhe mbyllje të akseve rrugore.
Ambasada paralajmëron se personat që ndodhen pranë zonave të protestave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur në drejtim horizontal, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome. Për këtë arsye, personelit të saj i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se mund të ketë mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe institucionet qeveritare.
Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë të shmangin protestat, të tregojnë vëmendje ndaj mjedisit përreth, të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve, si dhe të kenë gjithmonë një plan emergjence ose daljeje nga zonat ku mund të zhvillohen demonstratat.
