Një mesazh personal nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, i është përcjellë presidentit rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Moskë mes këtij të fundit dhe zyrtarit të lartë iranian Mohsen Rezaei.Gjatë vizitës në Kremlin, Rezaei dhe Putin zhvilluan bisedime që, sipas zyrtarit iranian, përfshinë situatën e pasluftës, sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. Rezaei e cilësoi takimin si një “shkëmbim jashtëzakonisht të rëndësishëm pikëpamjesh”.
Një nga çështjet kryesore në tryezën e diskutimeve ishte edhe projekti për ndërtimin e një tubacioni që do të mundësonte transportimin e gazit natyror rus drejt Iranit.
Projekti synon të forcojë bashkëpunimin energjetik mes dy vendeve dhe të krijojë mundësi për furnizimin e tregjeve rajonale.
Rusia dhe Irani kanë thelluar bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik vitet e fundit. Teherani i ka ofruar Moskës teknologjinë e dronëve Shahed, të përdorur nga forcat ruse në luftën kundër Ukrainës, ndërsa Moska ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Iranin edhe gjatë përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Përmbajtja e mesazhit të përcjellë nga Khamenei nuk është bërë publike, ndërsa diskutimet për gazsjellësin nuk përbëjnë ende një marrëveshje të konfirmuar për ndërtimin e tij.