Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të jenë më pranë se kurrë një marrëveshjeje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, pasi Teherani ka shfaqur gatishmëri për të diskutuar edhe programin e tij bërthamor, një çështje që deri më tani e kishte mbajtur jashtë negociatave.
Lajmi i cituar nga Bloomberg, duke iu referuar burimeve diplomatike, thekson se Irani po shqyrton propozimet për aktivitetet e tij bërthamore, të përcjella përmes Katarit, i cili po luan rolin e ndërmjetësit në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.
Zhvillimet diplomatike vijnë pas një bisede telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe emirit të Katarit, ku në fokus kanë qenë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.
Megjithatë, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e ndërlikuar. Teherani kërkon heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e aseteve të ngrira jashtë vendit.
Nga ana tjetër, Uashingtoni kërkon që çështja bërthamore të jetë pjesë e negociatave që në fazën fillestare, me synimin për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit dhe për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore.
Sipas Reuters, Irani i ka dërguar Uashingtonit, përmes Katarit, një propozim lidhur me çështjen bërthamore, por ka bërë të qartë se diskutimet do të zhvillohen vetëm pasi pala amerikane të përmbushë shtatë kushtet e Teheranit.
Ndërkohë, Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake, nëse negociatat dështojnë. Përpjekjet diplomatike po intensifikohen në një moment kur të dyja palët përballen me presionin për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme.