Në Asamblenë e PS kryeministri Rama kërkojnë hedhjen në votim të kërkesës së tij për përjashtimin nga PS të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës.
Ndonëse vendimarrja për këtë kërkesë u shty në një kohë të dytë, gjatë mbledhjes së Asamblesë ajo hasi në kundërshtinë e tre prej atyre anëtarëve që cilësohen si ‘senatorë’ të PS.
Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko kanë kundërshtuar kërkesën për përjashtimin nga Partia Socialiste të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës.
Burime brenda Asamblesë Kombëtare të PS-së, bëjnë me dije se Erion Braçe ka dalë kundër kësaj kërkese, duke u shprehur: “Ne nuk jemi parti që përjashtojmë”.
Në të njëjtën linjë mësohet se ka qenë edhe Pandeli Majko, i cili gjithashtu ka kundërshtuar përjashtimin e dy deputetëve.
Më herët, Fatmir Xhafaj ishte një tjetër zë kundër kërkesës për përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, duke kundërshtuar që kjo çështje të hidhej në votim në Asamblenë Kombëtare.
Qëndrimet e tre socialistëve janë shfaqur gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku një prej çështjeve të trajtuara ka qenë edhe kërkesa për përjashtimin e dy deputetëve nga partia.