Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka folur pas suksesit 2-0 ndaj Bjellorusisë, që i dha kuqezinjve vendin e parë në grupin C1 të Ligës së Kombeve dhe ngjitjen në Ligën B.
Mbrojtësi kuqezi u shfaq optimist për vazhdimësinë e Kombëtares, duke theksuar se skuadra ka ndërtuar një grup të konsoliduar, pasi shumë prej lojtarëve kanë luajtur prej vitesh së bashku.
Gjimshiti vlerësoi edhe afrimin e elementëve të rinj, të cilët sipas tij po i japin më shumë cilësi ekipit dhe po ndikojnë pozitivisht në rritjen e nivelit të tij.
“Baza ekziston. Prej një kohe të gjatë, shumë prej çunave jemi bashkë në këtë Kombëtare. Lojtarët e rinj që vijnë na përmirësojnë si ekip dhe si Kombëtare. Nuk ka limite. Duhet të përmirësohemi dhe të shikojmë përpara”, u shpreh kapiteni.
Një deklaratë plot ambicie nga Gjimshiti, i cili beson se Shqipëria ka ende shumë për të dhënë dhe se objektivi i radhës duhet të jetë vijimi i rritjes dhe arritja e sukseseve të reja.