Një pretendim për një sulm kibernetik ndaj Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) në Itali ka ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave të institucioneve që luftojnë krimin e organizuar.
Një përdorues anonim, që fshihet pas pseudonimit “weykofa”, pretendon se ka arritur të sigurojë nga arkivat e DIA-s një paketë prej 220 MB, që përmban gjithsej 302 dokumente.
Sipas pretendimeve të hakerit, materialet përfshijnë informacione mbi 25 grupe kriminale, akte hetimore, të dhëna për personelin, dokumente financiare, si dhe korrespondencë me agjencinë evropiane të policisë, Europol.
Përdoruesi anonim pretendon se dokumentet janë nxjerrë në shitje në Dark Web, ku kërkon pagesë në kriptomonedha.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se sistemet e DIA-s janë komprometuar apo se dokumentet e pretenduara janë vjedhur dhe ofruar për shitje. Autoritetet po kryejnë verifikimet për të përcaktuar vërtetësinë e këtij pretendimi.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka kërkuar që situata të vlerësohet me kujdes, duke deklaruar: “Nuk ka një emergjencë, duhet të bëjmë vlerësimet e duhura.”
Rasti ngre pikëpyetje për sigurinë e informacionit të ndjeshëm që disponojnë strukturat italiane të luftës kundër mafias, veçanërisht nëse konfirmohet se në duart e personave të paautorizuar kanë përfunduar dokumente hetimore dhe komunikime ndërkombëtare.