Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) miratoi zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor 2026, në Luksemburg. Në këtë konferencë pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”.
Ky vendim shënon një tjetër arritje në rrugën evropiane të Shqipërisë dhe reflekton vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe të shteteve anëtare për rezultatet e reformave në fushën e industrisë dhe sipërmarrjes.
Ai njeh përparimin në përafrimin me politikat dhe standardet evropiane, si dhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin efektiv të politikave që mbështesin biznesin, konkurrueshmërinë dhe transformimin industrial.
Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin.
Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.
Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të jetë kapitulli i katërt i negociatave që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve.
“SHQIPËRIA MBYLL KAPITULLIN E PARË. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale