Kombëtarja e Argjentinës e ka nisur me një humbje aventurën pa Lionel Messin, duke u mposhtur me rezultatin 2-1 nga Uruguai në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin “La Bombonera”.
Përballja u zhvillua në një atmosferë jo të zakonshme, me tribunat pjesërisht të zbrazëta, ndërsa skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni nuk arriti të bindte në fushën e lojës. Kjo ishte një nga sfidat e para pas rinovimit të kontratës së trajnerit deri në vitin 2030.
Edhe pse Uruguai nuk regjistroi asnjë goditje në kuadrat gjatë pjesës së parë, arriti të kalonte në avantazh pas pushimit. Një ndërhyrje e pafat e Lisandro Martinezit, i cili gjatë largimit të topit goditi shokun e skuadrës Leonardo Balerdi, bëri që topi të përfundonte në rrjetën argjentinase.
Më pas, miqtë dyfishuan shifrat pas një goditjeje nga këndi, ku Maximiliano Araujo përfitoi për të shënuar golin e dytë të Uruguait.
Argjentina pati vështirësi të gjente hapësira përballë mbrojtjes kundërshtare, ndërsa mungesa e Lionel Messit u ndje edhe në aspektin krijues të lojës.
Megjithatë, hyrja në fushë e Gianluca Prestiannit ndryshoi ritmin e lojës së vendasve. Në minutën e 72-të, talenti argjentinas realizoi një depërtim të shkëlqyer nga krahu i majtë dhe shërbeu një asist për Julian Alvarez, i cili ngushtoi diferencën në 2-1.
Në minutat e mbetura, Argjentina u përpoq të gjente golin e barazimit, por Uruguai administroi avantazhin dhe në fund festoi një fitore të rëndësishme në transfertë.
Kështu, mungesa e Messit u shoqërua me një sinjal jo pozitiv për kampionët e botës, të cilët kanë ende shumë punë për të bërë në ndërtimin e lojës pa kapitenin e tyre.