Administrata amerikane e Donald Trump po përgatit një ndryshim të rëndësishëm në sistemin shëndetësor, duke parashikuar pagesa për mjekët që diagnostikojnë dhe trajtojnë pacientët me probleme shëndetësore të dyshuara pas vaksinimit.
Nisma vjen në kuadër të politikave të sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i cili ka vendosur në qendër të agjendës së tij hetimin e efekteve të mundshme negative të vaksinave.
Plani përfshin gjithashtu krijimin e një qendre të posaçme kërkimore pranë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH), si dhe rishikimin e Programit të Kompensimit të Dëmtimeve nga Vaksinat, të ngritur në vitin 1986.
Por vendimi ka hapur një debat të fortë në komunitetin shkencor. Ekspertët paralajmërojnë se pagesat për mjekët mund të krijojnë stimuj për raportimin e rasteve të dyshuara dhe të ushqejnë perceptimin se vaksinat shkaktojnë më shumë probleme sesa tregojnë të dhënat shkencore.
Ndërkohë, kritikët paralajmërojnë se ndryshimet në skemën e kompensimit mund ta vështirësojnë marrjen e dëmshpërblimit për personat që kanë pësuar realisht dëmtime të rralla nga vaksinat.
Departamenti amerikan i Shëndetësisë i ka mbrojtur nismat, duke argumentuar se synimi është përmirësimi i kujdesit për pacientët dhe forcimi i kërkimit shkencor.