Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Lajmi u bë i ditur nga kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, gjatë një komunikimi me gazetarët.
“Sot do të dërgohet në gjykatë Belinda Balluku dhe, për shkak të kërkesave për informacion, kemi menduar këtë mënyrë komunikimi”, deklaroi Braho.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Dritan Prençi, ka bërë të ditur se kërkesa për gjykim ndaj Ballukut do të depozitohet gjatë ditës së sotme. Sipas tij, vlera e pasurisë së ish-zëvendëskryeministres arrin në 1 milion e 800 mijë euro.
Belinda Balluku është marrë e pandehur së bashku me 25 persona fizikë dhe dy persona juridikë. Sipas prokurorit Prençi, hetimi ka përfshirë gjithsej 10 procedura.
Pesë akuzat ndaj Ballukut
Më 20 tetor 2026, SPAK i komunikoi Ballukut pesë akuza, të lidhura me procedura të ndryshme tenderimi dhe me pasuri të paluajtshme.
Ajo akuzohet për:
Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste.
Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë, në dy raste.
Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.
Në fokus të hetimeve për tenderat janë procedura për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si dhe disa procedura të tjera publike, mes tyre edhe lote të Unazës së Madhe në Tiranë.
Dy vila luksoze në Dhërmi dhe Palasë
Në kuadër të hetimit, SPAK ka vendosur sekuestro preventive edhe ndaj dy vilave luksoze në zonën e Dhërmiut dhe Palasës.
Prokuroria ka ngritur dyshime për pastrim parash lidhur me këto prona, të cilat dyshohet se janë regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare.
Në këtë pjesë të hetimit përmendet edhe biznesmeni Arbër Abazi. Sipas dyshimeve të prokurorisë, mund të ketë lidhje mes përfitimeve të paligjshme nga procedurat publike dhe investimeve të kryera në pasuri të paluajtshme.
Kërkesa për arrestim dhe çështja e imunitetit
SPAK kishte kërkuar autorizimin për heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim vendosjen e një mase më të rëndë sigurie, përfshirë arrestimin.
Megjithatë, kërkesa nuk mori miratimin e Kuvendit, ku shumica socialiste votoi kundër autorizimit për arrestimin e saj.
Me dërgimin e dosjes për gjykim, çështja ndaj Ballukut dhe personave të tjerë të marrë të pandehur kalon tashmë në fazën gjyqësore. Akuzat e ngritura nga SPAK mbeten pretendime të prokurorisë, për të cilat do të shprehet gjykata.