Kombëtarja shqiptare luan sot ndeshjen vendimtare ndaj Bjellorusisë në Grupin C1 të UEFA Nations League. Kuqezinjve u mjafton një barazim për të siguruar ngjitjen në Ligën B, ndërsa kompanitë e basteve e vlerësojnë Shqipërinë si favorite për këtë përballje.
Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest. Sipas kuotave të publikuara nga kompanitë ndërkombëtare të basteve, fitorja e Shqipërisë vlerësohet me koeficientin 2.00, barazimi me 3.38, ndërsa triumfi i Bjellorusisë me 4.40.
Kuotat tregojnë se fitorja e kuqezinjve shihet si rezultati më i mundshëm nga tregu i basteve, por edhe një pikë do të mjaftonte për të arritur objektivin e Kombëtares.
Parashikohet një ndeshje me pak gola
Për sa i përket numrit të golave, opsioni “Nën 2.5 gola” kuotohet me 1.70, çka sugjeron pritshmëri për një sfidë me rezultat të ngushtë dhe kujdes taktik.
Në tregun e golashënuesve, Rey Manaj renditet si kandidati kryesor për të shënuar, i ndjekur nga Cristian Shpendi dhe Arbër Hoxha.
Shqipëria kryeson Grupin C1 me 12 pikë, dy më shumë se Bjellorusia, që mban vendin e dytë. Në përballjen e parë mes tyre, të zhvilluar në Tiranë, kuqezinjtë fituan me rezultatin 2-0.
Tashmë, Kombëtares i duhet vetëm të shmangë humbjen në Budapest për të siguruar matematikisht ngjitjen në Ligën B.