Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar me tone ironike ndaj mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të shtunë në Gjirin e Lalzit, duke vënë në shënjestër kryeministrin Edi Rama dhe zhvillimet brenda forcës qeverisëse.
Përmes një postimi në Facebook, Koçeku ka ironizuar atë që e përshkruan si ndryshim të vazhdueshëm qëndrimesh gjatë mbledhjes, duke u ndalur te duartrokitjet e disa pjesëmarrësve, heshtja e të tjerëve dhe diskutimet për përjashtimet nga partia.
Ajo ka sjellë në vëmendje edhe momentet kur, sipas saj, fillimisht u kërkua mbyllja e kamerave dhe më pas hapja e tyre, ndërsa qëndrimi për përjashtimin e një anëtari u zëvendësua me propozimin për rishqyrtimin e çështjes.
Në reagimin e saj, deputetja ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Partisë Socialiste për të qeverisur vendin, nëse nuk arrin të vendosë rregull dhe të mbajë nën kontroll zhvillimet brenda vetes.
Në përfundim, Koçeku ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke shkruar se sa më shpejt të largohet nga detyra, aq më mirë do të ishte.