Një pajisje shpërthyese artizanale është zbuluar në një ndërtesë zyrash në sheshin Merrion, në qendër të Dublinit, pranë vendit ku një natë më parë kishin darkuar liderët pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Europian. Në samit ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Sipas Reuters, pajisja u zbulua pasditen e së premtes, pas një njoftimi të policisë irlandeze për një objekt të dyshimtë në ndërtesën e zyrave. Në vendngjarje mbërritën specialistët e Forcave të Armatosura irlandeze, të cilët arritën ta neutralizonin.
Policia irlandeze, Garda, bëri të ditur se pajisja ishte e ndërtuar në mënyrë artizanale, por funksionale dhe e aftë të shkaktonte shpërthim. Pas vlerësimit fillestar, autoritetet kërkuan ndërhyrjen e njësisë së specializuar për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese, EOD.
Zbulimi i saj ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të afërsisë me vendin ku të enjten në mbrëmje u organizua darka zyrtare për liderët pjesëmarrës në samit. Aktiviteti u mbajt në Galerinë Kombëtare të Irlandës, e cila ndodhet në të njëjtën zonë me sheshin Merrion, pranë ndërtesës ku u gjet pajisja.
Në darkën zyrtare morën pjesë, ndër të tjerë, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Andy Burnham dhe kryeministri kanadez Mark Carney. Në samitin dyditor ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili nuk mori pjesë në darkën e së enjtes.
Për samitin dhe aktivitetin zyrtar ishin vendosur masa të rrepta sigurie, me perimetra mbrojtës, bllokime rrugësh dhe prani të shtuar policore. Sipas autoriteteve irlandeze, ky ishte operacioni më i madh i sigurisë i zhvilluar ndonjëherë nga policia e vendit.
Takimi vijoi të premten me një mbledhje joformale të liderëve të Bashkimit Europian, në një ambient tjetër, rreth 1.5 kilometra larg vendit ku u zbulua pajisja. Në fokus të diskutimeve ishin siguria europiane dhe zhvillimet lidhur me negociatat për Ukrainën.
Policia irlandeze ka nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e pajisjes, rrethanat e vendosjes së saj dhe personat e mundshëm të përfshirë. Deri tani nuk është konfirmuar nëse incidenti ka lidhje me samitin apo me praninë e liderëve ndërkombëtarë në Dublin. Gjithashtu, nuk është njoftuar për ndonjë arrestim.