Tirana do të mirëpresë këtë të diel edicionin e 10-të të Maratonës së Tiranës, një aktivitet sportiv që do të sjellë ndryshime të rëndësishme në qarkullimin rrugor në kryeqytet.
Për shkak të zhvillimit të garës, disa prej akseve kryesore të qytetit do të bllokohen për automjetet, ndërsa trafiku do të devijohet në rrugë alternative. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash që parashikon kufizime në qarkullim nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Gjatë kësaj periudhe do të jenë të bllokuara Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Bulevardi “Zogu i Parë”, Bulevardi i Ri, si dhe disa rrugë të tjera, mes tyre Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës dhe “Myslym Shyri”.
Për të garantuar lëvizjen e qytetarëve dhe për të shmangur kaosin në trafik, janë përcaktuar edhe drejtime të detyruara në disa kryqëzime të rëndësishme. Masat do të përfshijnë zonat pranë Rrugës së Elbasanit, bulevardit “Zhan D’Ark”, Rrugës së Dibrës, “Hoxha Tahsim”, Bulevardit “Zogu I” dhe kryqëzimit te “21 Dhjetori”.
Ndryshimet do të prekin edhe transportin publik. Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, gjatë ditës së diel do të pezullohen përkohësisht disa linja urbane, përfshirë ato që lidhin Selitën me Alliasin, Porcelanin dhe Qytetin Studenti.
Ndërkohë, linja të tjera, si ato të Saukut të Vjetër, Kasharit, Kombinatit dhe Kinostudios, do të devijojnë itinerarin e tyre për shkak të kufizimeve në qarkullim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin parasysh ndryshimet në trafik dhe të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre për të shmangur vonesat gjatë zhvillimit të maratonës.