Lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe investimi i Jared Kushner në ishullin e Sazanit kanë qenë disa prej temave për të cilat kryeministri Edi Rama është pyetur në Dublin, ku ndodhet për takimin e Komunitetit Politik Europian. Në prononcimin për mediat, Rama pranoi se Perëndimi ka bërë gabim duke u përqendruar vetëm te ndihma ushtarake për Kievin, pa mbajtur një kanal komunikimi me Moskën.
“Është bërë një gabim i madh të fokusohemi vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, pa pasur një kanal komunikimi me Rusinë”, deklaroi Rama.
Lidhur me investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, Rama mohoi që ishulli të jetë shitur apo që të ketë një marrëveshje përfundimtare, duke bërë të ditur se negociatat vijojnë prej tre vitesh.
“Nuk ka ishull të shitur. Jemi në tre vite negociata dhe bisedime, kështu që Republika e Shqipërisë është duke parë të gjitha praktikat në atë investim”, u shpreh ai.
Rama theksoi se Shqipëria mbetet e orientuar drejt Bashkimit Europian, duke nënvizuar se vendimet për të ardhmen e vendit u takojnë qytetarëve shqiptarë. Ai foli gjithashtu për rolin e Shqipërisë në organizimin e samiteve të ardhshme europiane.